Transmetuar më 21-12-2025, 17:01

Kryeministri Edi Rama ka ngritur shqetësime serioze mbi mënyrën se si po funksionon sistemi gjyqësor në Shqipëri, duke e cilësuar përdorimin e paraburgimit si të tepruar, të pajustifikuar dhe larg standardeve europiane. Në podkastin e tij “Flasim”, Rama iu referua raporteve të ekspertëve të Këshillit të Europës, sipas të cilave Shqipëria renditet në krye të listës në Europë për numrin e lartë të personave në paraburgim.

Sipas tij, gjykatat shqiptare e zgjasin shpesh masën e paraburgimit pa arsyetim të individualizuar dhe pa prova se kjo masë mbetet realisht e domosdoshme dhe proporcionale. Kjo praktikë, theksoi Rama, e ka kthyer paraburgimin nga një masë ekstreme dhe e fundit në një mjet rutinë, në kundërshtim të plotë me parimet themelore të shtetit të së drejtës.

Kryeministri kritikoi ashpër edhe cilësinë e arsyetimit gjyqësor, duke vënë në dukje se vendimet mbështeten shpesh në nocione të paqarta ligjore dhe formula standarde, pa një analizë konkrete të rrethanave të çdo çështjeje. Sipas tij, kjo qasje ka prodhuar një situatë paradoksale, ku burgjet janë të mbipopulluara me persona ende të padënuar, duke e bërë Shqipërinë një rast negativ unik në Europë.

Rama nënvizoi se, megjithëse kuadri ligjor shqiptar është formalisht në përputhje me standardet e Bashkimit Europian, në praktikë mungon kultura e zbatimit të masave alternative ndaj paraburgimit. Gjykatësit, sipas tij, e konsiderojnë paraburgimin si zgjidhjen e parë dhe jo si mjetin e fundit, duke shpërfillur masa më proporcionale dhe më pak kufizuese të lirisë.

Në vijim, kryeministri bëri të ditur se qeveria ka nisur një analizë të thelluar të asaj që ai e cilësoi si shenja shqetësuese të brutalitetit në ushtrimin e pushtetit gjyqësor, të cilat kulmuan me dy zhvillime të forta: pezullimin e një anëtari të qeverisë me vendim të shkallës së parë dhe përpjekjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të rritur pagat e tyre, duke cenuar drejtpërdrejt buxhetin e shtetit.

Rama ndau disa nga pikat kyçe të raportit të Këshillit të Europës, duke theksuar përdorimin masiv dhe të zgjatur të paraburgimit, cilësinë e dobët të arsyetimit gjyqësor, mungesën e zbatimit efektiv të masave alternative dhe mosgarantimin e plotë të të drejtës së mbrojtjes, përfshirë mungesën e regjistrimit audio-video të marrjes në pyetje.

Ai theksoi se, edhe pse ligjet janë në përputhje me standardet europiane në letër, në praktikë vazhdon të mbizotërojë supozimi i paraburgimit në vend të supozimit në favor të lirisë. Sipas Ramës, kjo situatë kërkon një ndryshim strategjik të funksionimit të drejtësisë, përfshirë përcaktime më të qarta ligjore, forcimin e rolit kontrollues të gjykatave të apelit dhe ndërtimin e një sistemi funksional të masave alternative.

Kryeministri paralajmëroi se kjo çështje do të mbetet pjesë e debatit publik dhe se reforma në drejtësi nuk mund të konsiderohet e përfunduar pa garantuar standarde reale europiane në praktikë, jo vetëm në letër.

E PLOTË Qëndrimi në përputhje me parimet themelore të Reformës në Drejtësi

Siç e kam përmendur disa ditë më parë kemi nisur analizën e thelluar të shenjave shqetësuese të brutalitetit në ushtrimin e pushtetit gjyqësor, pas dy kulminacioneve shumë të forta: Pezullimi antidemokratik i një anëtari qeverie nga një prokuror e gjykatës me një vendim të shkallës së parë dhe tentativa e magjistratëve, gjykatës dhe prokurorë bashkë të Shqipërisë për të rritur vetë pagat e tyre, duke shqyer arkën e shtetit. Vetë Ali dhe vetë Kadi.

Mes të tjerash këto dite, kam rilexuar një raport të para disa kohësh, shkruar nga ekspertë të Këshillit të Evropës mbi përdorimin brutal dhe masiv të paraburgimit në Shqipëri – një rekord negativ absolut i drejtësisë shqiptare, e cila e ka vendosur Shqipërinë në pozicionin më të keq në Europë, por jo thjeshtë në fund, por me dallim të frikshëm nga rajoni dhe nga pjesa tjetër e Europës, po se po.

Më lini të ndaj me ju disa pika kyçe të këtij raporti:

Së pari: Përdorim i tepruar dhe kohëzgjatje e pajustifikuar e paraburgimit

Shqipëria mban një nivel jashtëzakonisht të lartë të personave në paraburgim, me shifra që janë dukshëm shumë larg praktikave të vendeve të BE-së. Gjykatat e zgjasin rëndom masën e paraburgimit, pa asnjë arsyetim të individualizuar dhe pa treguar se vazhdimi i kësaj mase mbetet në mënyrë strikte i domosdoshëm dhe proporcional.

Së dyti: Cilësia e arsyetimit gjyqësor dhe kontrollit le shumë për të dëshiruar

Vendimet për paraburgim shpesh bazohen në nocione të paqarta ligjore (“arsye të rëndësishme”, “rrezik i veçantë”) dhe gjykatat kanë tendencën të përdorin formula standarde, pa bërë një vlerësim të mirëfilltë të çështjes. Raporti thekson kulturën e mangët të arsyetimit të thelluar.

Së treti: Mungesë dhe zbatim i paqëndrueshëm i masave alternative ndaj paraburgimit

Gjykatësit kanë tendencën ta trajtojnë paraburgimin si opsionin e parë, atë të shumëdëshiruarin dhe jo si mjetin e fundit, duke i shpërfillur rëndom masat e tjera dhe shtoj, duke i mbushur burgjet me më shumë persona të padënuar se sa të dënuar, çka e bën Shqipërinë, një vend krejtësisht original në brutalitetin e vet.

Së katërti: Mosgarantimi i të drejtës së mbrojtjes

Korniza aktuale ende nuk garanton plotësisht aksesin efektiv te avokatit që në fazat më të hershme të procedimit. Disponimi i materialeve të çështjes mund të vonohet, dhe mungon regjistrimi sistematik audio/video i marrjes në pyetje. Gjithë këto para, gjithë këto fonde të dhëna në mbështetje të reformës në drejtësi dhe të institucioneve të drejtësisë dhe sot e gjithë ditën merren në pyetje njerëzit pa video, pa audio. Pikëpyetje shumë e madhe kjo. Dhe kjo – thotë raporti – e dobëson aftësinë e mbrojtjes për të sfiduar ligjshmërinë e paraburgimit dhe përmbajtjen e akuzës.

E së fundi – nga pikat që unë kam nxjerrë, raporti është rrëqethës, po të kesh parasysh që është shkruar edhe me gjuhën shumë diplomatike të Këshillit të Europës – Dimensioni strukturor dhe kulturor.

Edhe pse korniza ligjore shqiptare është në përputhje të përgjithshme, përgjithsisht me standardet evropiane në letër, vazhdojnë të jenë të pranishme prirjet për të supozuar nevojën për paraburgim, në vend të supozimit në favor të lirisë, dhe mungon praktika e zbatimit të masave proporcionale dhe të arsyetuara në mënyrë individuale. Kërkohet një ndryshim strategjik – përfshirë përcaktime më të qarta ligjore, kontroll më i fortë nga gjykatat e apelit dhe një sistem funksional i masave alternative. "

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit