Transmetuar më 21-12-2025, 16:51

Gjermani, 21 dhjetor 2025 Shqiptarët që jetojnë në Gjermani renditen në vendin e pestë mes kombësive me më shumë kërkesa për bashkim familjar, sipas një raporti të publikuar nga media gjermane Die Welt, bazuar në të dhëna zyrtare të Ministrisë së Jashtme Federale.

Sipas raportit, gjatë vitit 2025 janë paraqitur rreth 4,426 aplikime për viza bashkimi familjar nga shtetas shqiptarë. Në total, deri në fund të muajit nëntor, autoritetet gjermane kanë lëshuar 101,756 viza për pesë kombësitë me numrin më të lartë të kërkesave, pavarësisht shtrëngimit të rregullave të imigracionit.

Në krye të listës qëndrojnë shtetasit turq me 14,907 viza, të ndjekur nga sirianët me 13,148, indianët me 9,286, shtetasit nga Kosova me 7,143 dhe më pas shqiptarët.

Një element domethënës i raportit është se në më shumë se një të tretën e rasteve, konkretisht 37,227 viza, janë dhënë për fëmijë që kërkojnë të bashkohen me prindërit e tyre në Gjermani. Në të kundërt, rreth 3,500 viza janë lëshuar për prindër që bashkohen me fëmijët e tyre.

Kategoria më e shpeshtë e vizave mbetet ajo për bashkëshortët e të huajve që jetojnë në Gjermani, me 44,426 raste, ndërsa 16,298 viza të tjera janë dhënë për bashkim me bashkëshortë që posedojnë pasaportë gjermane.

Raporti thekson gjithashtu se e drejta për bashkim familjar në Gjermani aplikohet kryesisht për familjen bërthamore, pra bashkëshortët dhe fëmijët e mitur. Megjithatë, ekzistojnë përjashtime për raste të veçanta, si dhe për profesionistë dhe punëtorë të kualifikuar, të cilët mund të sigurojnë financiarisht jetesën e familjes.

Ndërkohë, që nga vera e këtij viti, qeveria gjermane ka pezulluar për dy vjet bashkimin familjar për personat me status mbrojtjeje plotësuese, duke e kufizuar këtë të drejtë vetëm në raste të konsideruara si “të vështira”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit