

Tiranë – Prokuroria e Tiranës ka shpallur në kërkim shtetasin Eno Agasi, kushëri i biznesmenit Ergys Agasi, lidhur me dyshimet për zhdukjen e një sasie vere me vlerë të konsiderueshme ekonomike.
Sipas burimeve zyrtare, Eno Agasi dyshohet se ka hequr nga një kantinë një sasi vere në pronësi të Ergys Agasit. Vera ishte inventarizuar dhe ishte lënë në ambientet e kantinës, pasi nuk mund të transportohej gjatë natës për shkak të procedurave doganore.
Autoritetet janë rikthyer të nesërmen për të kryer marrjen e mallit, por sasia e verës nuk është gjetur më në vendin ku ishte depozituar.
Ndërkohë, Ergys Agasi rezulton gjithashtu në kërkim nga SPAK, pasi akuzohet se, së bashku me Ermal Beqirajn, ka krijuar një grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderëve pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Për të njëjtën çështje, SPAK ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e dyshuar për përfshirje në manipulimin e tenderëve publikë.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






