Transmetuar më 21-12-2025, 09:09

Kakavijë, 21 dhjetor 2025

Pika kufitare e Kakavijës po përballet me një fluks të shtuar udhëtarësh, teksa mijëra emigrantë shqiptarë po kthehen nga Greqia për të festuar fundvitin pranë familjeve të tyre. Qarkullimi i lartë ka sjellë krijimin e radhëve të gjata, veçanërisht në anën greke të kufirit, ku pritjet në sportelet e kontrollit të dokumenteve kanë arritur deri në disa kilometra.

Autoritetet kufitare bëjnë me dije se janë marrë masa shtesë për përballimin e situatës dhe për të shmangur bllokimet e gjata. Policia Kufitare në Kakavijë ka rritur kapacitetet e përpunimit, duke shtuar sportelet në funksion dhe numrin e efektivëve në shërbim, me qëllim përshpejtimin e procedurave dhe garantimin e rendit e sigurisë.

Ndërkohë, Policia Rrugore ka intensifikuar kontrollet përgjatë aksit kombëtar Gjirokastër–Kakavijë, për të parandaluar aksidentet dhe për të siguruar një qarkullim sa më të rregullt në këto ditë me trafik të rënduar.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë durim, të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të planifikojnë udhëtimin e tyre, pasi fluksi pritet të vijojë edhe në ditët në vijim.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit