

Me hidhërim të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Ismet Bellovës, një prej figurave më të mëdha të sportit dhe gazetarisë sportive shqiptare, mësues, gazetar dhe komentator që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e mikrofonit dhe edukimit fizik në vend.
Ismet Bellova lindi në Tiranë më 1 qershor 1934. Arsimin e lartë e përfundoi në ILKF “Vojo Kushi” në vitin 1960, duke u përkushtuar më pas me pasion dhe dinjitet profesionit të mësuesit të edukimit fizik, si edhe gazetarisë sportive. Ai ishte i martuar me Mjeshtren e Merituar të Sportit, Bukuroshe Shtiza.
Rrugëtimi i tij në sport nisi herët, që në vitin 1948, kur u shpall edhe kampion i vendit për të rinj në pingpong. Emri i Ismet Bellovës u bë pjesë e historisë së transmetimeve sportive shqiptare më 29 nëntor 1950, me komentimin e ndeshjes Dinamo – Partizani 1–0, finalja e Kupës së Shqipërisë, duke shënuar fillimin e një karriere të gjatë në Radio Tirana.
Për kontributin e jashtëzakonshëm në sport, arsim dhe gazetari, ai u nderua me tituj e dekorata të shumta, ndër të cilat: “Mësues i Popullit”, Urdhrin “Naim Frashëri” Klasi I dhe të Artë, Urdhrin e Punës Klasi I, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Urdhri Olimpik”, “Mirënjohja e Tiranës”, “Nderi i Sportit Dibran”, si dhe titullin “Kalorësi i Urdhërit të Flamurit”.
Gjatë jetës së sit Bellova u nderua me një sërë çmimesh, në vitin 2004 u krijua Çmimi “Ismet Bellova” në gazetarinë sportive, ai u vlerësua me Çmimin e Karrierës në TVSH, dy herë Çmimin “Anton Mazreku”, si dhe Mikrofonin e Artë në TVSH.
Ndarja nga jeta e Ismet Bellovës është një humbje e madhe për sportin dhe median shqiptare. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë te brezat që edukoi, te dëgjuesit që e ndoqën dhe te historia e sportit shqiptar, ku emri i tij zë një vend nderi. U prehtë në paqe.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






