Transmetuar më 20-12-2025, 21:45

Një incident i rëndë është regjistruar këtë të enjte në bulevardin “Ismail Qemali” në Vlorë, ku një grua rreth 35 vjeçe është lënduar pasi është rrëzuar pranë blloqeve të betonit të vendosura përgjatë zonës urbane.

Sipas informacioneve paraprake, e reja është penguar gjatë ecjes në një nga këto struktura betoni, duke humbur ekuilibrin dhe duke rënë me forcë në tokë. Si pasojë, ajo ka pësuar dëmtime serioze në kokë dhe është transportuar me urgjencë në spitalin rajonal të Vlorës, ku po merr trajtim mjekësor.

Blloqet e betonit, të vendosura pranë trotuareve dhe hapësirave të kalimit të këmbësorëve, rezultojnë të jenë pa sinjalistikë paralajmëruese, çka i bën ato një rrezik të vazhdueshëm për qytetarët. Banorë dhe kalimtarë kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për këtë problem, duke theksuar se raste të ngjashme janë përsëritur edhe më herët.

Ngjarja rikthen në vëmendje një precedent tragjik, pasi vetëm një muaj më parë një grua rreth 65 vjeçe humbi jetën pasi u rrëzua në të njëjtën mënyrë, duke u penguar në blloqet e betonit në këtë zonë.

Situata mbetet veçanërisht shqetësuese për të moshuarit dhe personat me vështirësi në lëvizje, ndërsa qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente për eliminimin e rrezikut dhe garantimin e sigurisë në hapësirat publike.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit