

Një vizitë e zakonshme në spital përfundoi në mënyrë tragjike në Palermo.
Giovanni Guddo, 64 vjeç, murator nga Sicilia, humbi jetën në spitalin “Villa Sofia” pas një rrëzimi aksidental, ndërsa po shoqëronte bashkëshorten e tij për një vizitë mjekësore, shkruajnë mediat italiane.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, Guddo ndodhej në ambientet e jashtme të spitalit, ku po zbriste një rampë, kur humbi ekuilibrin dhe u rrëzua. Ai pësoi dëmtime të rënda dhe u transportua për trajtim, por gjendja e tij u përkeqësua. Familjarët pretendojnë se vlerësimi nga një neurokirurg është kryer vetëm pas më shumë se nëntë orësh, kur situata ishte tashmë kritike. Pas një jave shtrimi në spital, 64-vjeçari ndërroi jetë.
Sipas mediave italiane, aksidenti ndodhi të enjten, më 13 nëntor. Në denoncimin e familjes thuhet se zona ku ndodhi rrëzimi ishte në kushte jo optimale dhe pa sinjalistikën e nevojshme të rrezikut. Këto rrethana janë tashmë pjesë e hetimit zyrtar.
Zyra e Prokurorit ka hapur një procedim penal për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të verifikuar nëse ka përgjegjësi nga ana e institucionit apo e personelit shëndetësor. Ndërkohë, mbi trupin e viktimës është kryer autopsia, ndërsa rezultatet e analizave toksikologjike dhe histologjike pritet të dalin brenda dy muajve.
Familja e të ndjerit kërkon të mësojë nëse vdekja ishte pasojë e një aksidenti të pashmangshëm apo nëse vonesat në trajtimin mjekësor kanë ndikuar në përfundimin fatal të kësaj ngjarjeje.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






