

Berat, 20 dhjetor 2025 – Policia e Beratit ka vënë në pranga një shtetas të shpallur më herët në kërkim, i dyshuar si autor i dëmtimeve dhe vjedhjeve të përsëritura në varrezat e qytetit.
Në pranga ka rënë Romeo Këmbaci, ndaj të cilit Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale të “Dhunimit të varreve”, parashikuar nga neni 118 i Kodit Penal.
Sipas policisë, varrezat e Suelasit kanë qenë objekt i sulmeve të vazhdueshme gjatë orëve të natës, ku autori hynte fshehurazi dhe shkatërronte varre, hiqte elementë zbukurues prej bronzi dhe metali, si dhe kangjella rrethuese, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe në pllakat e mermerit.
Nga hetimet rezulton se sendet e vjedhura shiteshin në pikat e grumbullimit të hekurishteve në zonën e Skraparit. Identifikimi i autorit u bë falë pamjeve të kamerave të sigurisë, si dhe kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e policisë në bashkëpunim me subjektet e riciklimit.
Pas lokalizimit dhe kapjes, Romeo Këmbaci u vu në pranga dhe tashmë do të përballet me drejtësinë për veprat penale që rëndojnë ndaj tij.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






