Transmetuar më 20-12-2025, 15:02

Një megaoperacion policor në shkallë kombëtare, i zhvilluar në disa provinca të Italisë, ka çuar në goditjen e fortë të krimit të përhapur dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Si rezultat i hetimeve të koordinuara nga Shërbimi Qendror i Operacioneve, janë arrestuar 384 persona, ndërsa 655 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Operacioni, i mbështetur nga skuadrat mobile të policisë në të gjithë vendin, kishte në fokus trafikimin e drogës, krimet kundër personit dhe pronës, posedimin e paligjshëm të armëve, si dhe episodet e dhunës, veçanërisht në zonat me aktivitet të lartë kriminal dhe në ambientet e jetës së natës.

Gjatë aksionit u kontrolluan dhe verifikuan gjithsej 95,164 persona, mes tyre 16,701 shtetas të huaj dhe 10,848 të mitur. Për rreth 1,000 persona po shqyrtohen masa administrative parandaluese.

Sipas mediave italiane, policia ka sekuestruar rreth 1,400 kilogramë drogë, konkretisht 35 kg kokainë, 1,370 kg kanabinoide dhe 1 kg heroinë. Gjithashtu janë sekuestruar 41 armë zjarri, 80 armë të ftohta dhe mbi 300,000 euro para cash, të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti i paligjshëm i trafikimit të drogës.

Në kuadër të operacionit u vendosën edhe 565 gjoba administrative, kryesisht për përdorim të lëndëve narkotike dhe furnizim të paligjshëm me pije alkoolike. Autoritetet kanë identifikuar gjithashtu disa profile në rrjetet sociale, përmbajtja e të cilave po verifikohet për bllokim të mundshëm nga autoritetet gjyqësore.

Kontrolle të posaçme u kryen edhe për zbatimin e kuadrit të ri ligjor, të parashikuar nga Ligji nr. 80/2025, që rregullon tregtimin e produkteve me bazë kërpi. Si rezultat, u inspektuan 312 dyqane kanabisi, u sekuestruan 296 kg kanabinoide, u mbyllën 5 dyqane, u arrestuan 3 persona dhe u kallëzuan penalisht 141 pronarë ose administratorë, pasi analizat paraprake treguan se produktet e sekuestruara kishin karakteristika narkotike.

Autoritetet italiane e cilësojnë operacionin si një nga ndërhyrjet më të mëdha të fundit kundër krimit të organizuar dhe të përhapur në vend.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit