Transmetuar më 20-12-2025, 07:38

Autoritetet gjermane kanë lëshuar një paralajmërim publik pasi në rrjetet sociale janë shfaqur foto të grave të paraqitura si oficere policie, me uniforma provokuese dhe në ambiente që nuk lidhen me shërbimin policor. Sipas konfirmimit zyrtar, imazhet nuk janë reale, por janë gjeneruar me inteligjencë artificiale dhe përdoren për mashtrime online.

Ditët e fundit, në internet kanë qarkulluar foto që tregojnë gra me uniforma policie në veshje të papërshtatshme për shërbimin zyrtar, përfshirë bluza të shkurtra apo ambiente private. Këto pamje kanë shkaktuar reagime të shumta, duke detyruar Policinë e Hamburgut të reagojë zyrtarisht, pasi janë shtuar raportimet për profile që pretendojnë se përfaqësojnë oficere policie të qytetit.

Sipas autoriteteve, qëllimi i këtyre profileve është mashtrimi i përdoruesve dhe drejtimi i tyre drejt faqeve me pagesë ose përmbajtje të dyshimtë. Në një deklaratë zyrtare, Policia e Hamburgut bëri të ditur se ka marrë gjithnjë e më shumë ankesa për profile të rreme me imazhe të seksualizuara ose të manipuluara.

“Profile të tilla dëmtojnë reputacionin e policisë dhe shkelin të drejtat e individëve të vërtetë”, thuhet në deklaratë, ku theksohet se policia nuk ka llogari private në rrjetet sociale për oficerë individualë në uniformë dhe se informacioni publikohet vetëm përmes kanaleve zyrtare.

Disa nga imazhet e rreme paraqiten në skena joreale ose të pamundura, çka ka ngritur dyshime për manipulim dixhital. Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se po shqyrtojnë veprime ligjore ndaj krijuesve dhe shpërndarësve të këtij materiali dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të raportojnë profilet e dyshuara.

Rasti rikthen vëmendjen te rreziqet e keqpërdorimit të inteligjencës artificiale dhe përhapjes së përmbajtjes mashtruese, duke rritur shqetësimet për besueshmërinë e informacionit në rrjetet sociale dhe ndikimin e tij në reputacionin e institucioneve publike.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit