Transmetuar më 19-12-2025, 22:19

Gjysma e shqiptarëve jetojnë jashtë vendit / INSTAT: rreth 2.2 milionë shtetas në emigracion, shumica në moshë të re

Numri i shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë është thuajse i barabartë me ata që jetojnë brenda vendit.

Sipas vlerësimeve të Institutit të Statistikave (INSTAT), në vitin 2025 diaspora shqiptare e krijuar kryesisht pas viteve ’90 llogaritet në rreth 2.256.346 shtetas, ose afërsisht 49% e popullsisë shqiptare në total. Për krahasim, Censi i fundit i popullsisë tregoi se në Shqipëri jetojnë 2.402.113 banorë.

Të dhënat tregojnë se emigracioni shqiptar ka një profil dukshëm të ri. Pesha kryesore i përket grupmoshës 15–64 vjeç, që përbën shumicën dërrmuese të diasporës. Fëmijët deri në 14 vjeç përfaqësojnë rreth 18%, ndërsa shtetasit mbi 65 vjeç rreth 5%.

Sipas shpërndarjes gjinore, 1.177.529 emigrantë janë meshkuj dhe 1.078.817 janë femra, çka përforcon faktin se diaspora shqiptare është kryesisht ekonomikisht aktive dhe me potencial të lartë kontributi në tregjet e punës të vendeve pritëse.

Ndryshe nga emigracioni i hershëm shqiptar, i cili ishte i orientuar kryesisht drejt Shteteve të Bashkuara, diaspora e re është përqendruar kryesisht në Europë. Komuniteti më i madh i emigrantëve shqiptarë ndodhet në Greqi, i ndjekur nga Italia, Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar.

Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, Italia, Greqia dhe Gjermania janë vendet me përqendrimin më të lartë të shqiptarëve që mbajnë leje qëndrimi. Në 27 vendet e Bashkimit Europian, 47.6% e lejeve të qëndrimit për shqiptarët janë dhënë për arsye të bashkimit familjar, ndërsa 29.1% për arsye punësimi.

Sa i përket arsyeve të largimit nga Shqipëria, faktorët kryesorë mbeten kërkimi i mundësive më të mira ekonomike. Pas tyre renditen arsyet familjare (16%) dhe arsimi (6%), duke treguar se emigracioni vijon të jetë një fenomen kompleks dhe afatgjatë për shoqërinë shqiptare.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit