Transmetuar më 19-12-2025, 16:29

Mbledhja e Këshillit të Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë, ku pritej të shqyrtohej kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, është shtyrë pa një datë të përcaktuar për zhvillimin e radhës.

Gjatë diskutimeve, anëtarët e Këshillit ranë dakord që deputetët të marrin në dorëzim materialet e depozituara nga Prokuroria e Posaçme, të cilat janë vendosur në dispozicion në një USB për shqyrtim. Fillimisht, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kërkoi që dokumentacioni të mos largohej nga mbledhja, por më pas palët gjetën dakordësinë që deputetët ta marrin USB-në me vete.

Sipas burimeve, prokurorët kanë sqaruar se materiali mund të aksesohet vetëm nga anëtarët e Këshillit të Mandateve, në përputhje me procedurat ligjore, ndërsa SPAK ka dhënë dakordësinë që edhe avokati i deputetes Balluku të njihet me provat.

Dosja e përgatitur nga SPAK për mbështetjen e kërkesës për heqjen e imunitetit mësohet se përmban rreth 10 mijë faqe. Për këtë arsye, avokati i Ballukut ka kërkuar tre javë kohë për t’u njohur me materialet, ndërsa SPAK ka theksuar se afati maksimal i arsyeshëm është 5 ditë.

Partia Socialiste është shprehur në mbështetje të kërkesës së avokatit për shtyrjen e mbledhjes deri më 19 janar, ndërsa Partia Demokratike e ka kundërshtuar këtë propozim, duke kërkuar që mbledhja e radhës të zhvillohet të hënën.

Gjatë diskutimeve, deputeti i PD-së Gent Strazimiri ka ngritur çështjen e urgjencës së hetimit, duke pyetur prokurorin e çështjes, Altin Prençi, mbi afatet e arsyeshme për shqyrtimin e provave. Prokurori Prençi, si dhe prokurorja Dorina Bejko, kanë deklaruar se afati optimal për njohjen me dosjen është 3 deri në 5 ditë.

Debati në Këshillin e Mandateve u shoqërua edhe me replika politike mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, ndërsa mbetet për t’u caktuar data e mbledhjes së radhës ku do të merret vendimi përfundimtar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit