

Pas versionit të përditësuar të ligjit në vitin 2024 dhe ndërhyrjeve të mëvonshme me Aktin Normativ nr. 9, datë 1.10.2025, Ministria e Brendshme ka nxjerrë në konsultim publik projektligjin “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme” me ndryshime të thella në inspektimin e territorit. Thelbi i projekligjit të ri është centralizimi i funksioneve inspektuese dhe riorganizimi institucional, duke zhvendosur peshën kryesore nga niveli vendor drejt një strukture qendrore me shtrirje rajonale.
Nga modeli dy-nivelësh (2024) te një zinxhir i centralizuar (projektligji 2025)
Ligji i përditësuar në 2024 parashikonte një model të qartë dy-nivelësh: inspektimi dhe mbrojtja e territorit kryhej nga Inspektorati i Njësisë Vendore dhe nga IKMT (Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit). Në këtë skemë, pranë çdo njësie vendore ngrihej inspektorati vendor (IMT), me drejtues të emëruar nga kryetari i njësisë vendore dhe me mbështetje logjistike nga vetë njësia vendore.
Projektligji i ri në konsultim e ndryshon rrënjësisht këtë logjikë: inspektimi vendor hiqet si hallkë e pavarur, ndërsa IKMT zëvendësohet me një strukturë të re qendrore që organizohet në nivel qendror dhe rajonal, me drejtori rajonale dhe zyra vendore.
Cilat institucione “nuk do jenë më”
Në projektligjin 2025, ndryshimi më i rëndësishëm është suprimimi i komponentit vendor si institucion inspektues: Hiqet inspektimi nga inspektorati i njësisë vendore (shfuqizohet shkronja “a” e nenit 3), duke e nxjerrë jashtë rolit “organik” strukturën inspektuese të bashkive.
Shfuqizohen neni 4 dhe neni 5, të cilat në versionin e mëparshëm lidhen me përgjegjësitë/detyrat e inspektimit vendor. Suprimohet edhe hallka e ankimit pranë njësisë vendore: projektligji shfuqizon dispozitën që parashikonte ankim administrativ në komisionin pranë njësisë vendore kundër vendimeve të trupës inspektuese vendore.
Në dispozitat kalimtare, parashikohet shprehimisht që “strukturat vendore të mbikëqyrjes së territorit pranë njësive të vetëqeverisjes vendore” suprimohen dhe kalojnë në varësi të inspektoratit të ri qendror.
Një “super-inspektorat” i ri: Territor, Mjedis dhe Pyje nën një ombrellë
Projektligji i ri propozon të zëvendësojë referencat ndaj IKMT me “Strukturën Qendrore për Inspektimin – Inspektoratin Qendror për Territorin, Mjedisin dhe Pyjet”, me shtrirje rajonale dhe zyra vendore, por me varësi dhe komandë të centralizuar. Ndryshimet shtrihen edhe në ligje të tjera, duke hequr ose zëvendësuar referencat ndaj inspektimit vendor me inspektoratin qendror të ri. Akti Normativ 2025: sinjali i parë për “shtrëngim” dhe koordinim më të fortë
Ndërhyrja e tetorit 2025 me Aktin Normativ nr. 9 nuk e rrëzoi modelin dy-nivelësh, por e forcoi kontrollin dhe koordinimin, sidomos për lejet në kompetencë të KKTU-së. Në këtë kuadër, u shtua Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) në cilësinë e Sekretariatit Teknik të KKTU-së për bashkërendim dhe monitorim me strukturat inspektuese. U zgjeruan gjithashtu bazat për nisjen e inspektimeve dhe u rishikua koncepti i grupeve të inspektimit, përfshirë edhe përbërje të përbashkëta qendër–vendor dhe pjesëmarrje mbështetëse nga AZHT për lejet e KKTU-së.
Një tjetër element me ndikim praktik ishte rregulli se ankimi administrativ nuk pezullon ekzekutimin e vendimeve përfundimtare, duke e bërë masën të zbatueshme menjëherë pas njoftimit.
Hiqet “e drejta e armës” e parashikuar më herët
Projektligji i ri në konsultim prek edhe statusin dhe atributet e inspektoratit qendror: shfuqizohet pika përkatëse (neni 8, pika 4) që në versionin 2024 parashikonte se punonjësit e IKMT gëzonin të drejtën e pajisjes me armë dhe përdorimit të saj sipas legjislacionit përkatës.
Çfarë pritet të ndryshojë në praktikë
Nëse projektligji miratohet në formën aktuale, impakti kryesor pritet të jetë centralizimi i vendimmarrjes dhe ekzekutimit: roli i njësive vendore si institucione inspektuese suprimohen dhe kompetencat konsolidohen në një strukturë të vetme qendrore me shtrirje rajonale.
Gjithashtu pritet unifikimi i ankimit administrativ: duke u hequr komisioni pranë njësisë vendore, ankimi mbetet i fokusuar te hallka qendrore (Inspektorati i Përgjithshëm), duke reduktuar filtrat vendorë.
Në tërësi, projektligji i ri shënon një kthesë të qartë drejt një modeli të centralizuar të kontrollit të territorit, ku niveli vendor kalon nga rol institucional inspektues në një rol më të kufizuar, ndërsa inspektimi, koordinimi dhe mbikëqyrja konsolidohen nën një “ombrellë” të vetme qendrore që përfshin territorin, mjedisin dhe pyjet.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






