Transmetuar më 19-12-2025, 13:16

Tiranë, 19 Dhjetor 2025

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se çdo përpjekje për të bllokuar proceset e drejtësisë përbën një shkelje të rëndë të rendit kushtetues dhe të parimeve të shtetit ligjor.

Në deklaratën e tij, Berisha theksoi se ka mbështetur gjithmonë zbatimin e ligjit dhe të Kushtetutës, duke vlerësuar punën e prokurorëve, gjyqtarëve dhe hetuesve që veprojnë me integritet dhe guxim. Ai u shpreh se çdo zyrtar apo punonjës i drejtësisë që fsheh krime apo shkel ligjin nuk duhet të ketë asnjë funksion publik.

Berisha përgëzoi prokurorët që, sipas tij, kanë treguar vendosmëri në hetimin e zyrtarëve të lartë, duke theksuar se në standardet që ai përshkroi nga qeverisja e mëparshme, funksionarët jepnin dorëheqjen dhe bashkëpunonin me drejtësinë pa pengesa institucionale.

Ai ngriti shqetësime për mënyrën e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar trajtim të pabarabartë të çështjeve dhe vonesa në shqyrtimin e disa kërkesave parlamentare. Sipas Berishës, këto veprime përbëjnë cenim të drejtësisë dhe ndikim politik mbi institucionet.

Në përfundim, Berisha deklaroi se opozita do të reagojë politikisht ndaj çdo tentative për të penguar drejtësinë dhe kërkoi mbrojtje të plotë ligjore për prokurorët dhe gjyqtarët që ushtrojnë detyrën e tyre në mënyrë të pavarur.

Deklarata e Berishës:

Në fakt, kurrë nuk kam pasur qëndrim tjetër ndaj atyre që zbatojnë ligjin. Në mënyrë absolute ligji dhe Kushtetuta kanë qenë besimi im absolut politik. Dhe ju e keni parë, është faktuar, kanë hetuar gjithçka dhe nuk tregojnë një akt më të vogël shkelje të ligjit. Një njeri që beson se zbatimi i ligjit dhe i Kushtetutës është kusht për liritë dhe të drejtat njerëzore, nuk mund të ketë asnjë hezitim në vlerësimin më maksimal tek ata që e zbatojnë. E kam thënë edhe tek dera e tyre, me admirim për çdo burrë, grua, djalë, vajzë aty që zbaton ligjin. Dhe ka të tillë, pa diskutim.

Duke thënë këtë, kurrë nuk bie dakord me fshehjen e krimeve që ndodh aty. Jo, nuk bie. Ata që fshehin kriminelë dhe krime, ata nuk meritojnë një ditë të jenë në punë të shtetit, pro të jenë aty para ligjit. Por duhet thënë, prokurorë të guximshëm, hetues të guximshëm, morën të pandehur zëvendëskryeministrin dhe unë i përgëzoj ata. Por mos harro, jam kryeministër që kam pasur një zëvendëskryeministër, dhe që qeveria varej nga votat e partisë së tij, dhe që ai erdhi dhe dha dorëheqjen, pa e kërkuar prokuroria, se i tillë ishte standardi i qeverisë, i tillë ishte standardi i tij individual. Jo, tha, unë nuk shkoj në prokurori si zëvendëskryeministër. Ministrat kanë dorëzuar imunitetin sa herë iu është kërkuar.

Kurse tani betejë, shkatërrohet një Gjykatë Kushtetuese në mënyrë përfundimtare, i imponohen vendime antikushtetuese. Çfarë mund të thotë një njeri i qytetëruar, i përgjegjshëm? Në rastin tim, ajo gjykatë, kërkesën për masën, e paraqitur nga 30 deputetë, në mënyrë absolute në përputhje me Kushtetutën, ata gjykatës e hodhën poshtë, nuk e morën në shqyrtim me qëndrimin antikushtetues se nuk përfaqësojnë parlamentin. Nuk thotë parlamenti aty, Kushtetuta thotë 30 deputetë.

Ose e morën dhe e shqyrtuan në mënyrën më të rrufeshme rastin e Ballukut, e shtynë tre ose katër muaj rastin tjetër. Çfarë drejtësie është kjo? Kjo është një drejtësi në këmbët e një organizate kriminale. Por në këtë drejtësi, siç janë këta, siç është Irena Gjoka, ka edhe njerëz, që unë i përgëzoj, që i qëndrojnë ligjin, që kanë guxim dhe nuk mposhten. Ju lutem, mos harroni një moment, shkojmë tek agjencia e pengmarrjeve. Agjenci shtetërore, e varur direkt nga kryeministri, më afër se ministritë. Një prokuror në verë, një Elvin, dha dorëheqjen papritmas.

Kishte dosjen, dha dorëheqjen pa dhënë asnjë shpjegim. Dha dorëheqjen se mund ta merrnin peng. Rrethanat nuk e lejonin dhe dha dorëheqjen. Ky, prokurori i dosjes së Lubisë, kërcënime të shumëfishta. Dhe i them Edi Ramës, absolutisht do përgjigjej personalisht për secilin prej tyre në qoftë se u dhunohet gjëja më e vogël atyre. Ata janë të mbrojtur nga ligji dhe mos guxo të prekësh njeri prej tyre, mos guxo të bësh presione ndaj tyre. Ka ndërmarrë veprimet më të padrejta, është ndjekur rruga ligjore siç mund të ndiqet. Këta e rrethuan menjëherë me Lali Vjedhësin, desh i rrahën gjykatësit dhe prokurorët. Dhe tani, keqpërdorin në shkallë ekstreme Gjykatën Kushtetuese për të bllokuar drejtësinë. Bllokimi i drejtësisë është vepër e ngjashme me grushtin e shtetit. Dhe Edi Ramës do i përgjigjemi si puçist po qe se bllokon drejtësinë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit