

Tiranë, 19 Dhjetor 2025
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se ndalimi njëvjeçar i platformës TikTok në Shqipëri nuk do të zgjasë. Në një intervistë për median ndërkombëtare Politico, Rama u shpreh se qeveria është e kënaqur me bashkëpunimin e krijuar me platformën e videove.
Sipas tij, ndalimi i vendosur përpara zgjedhjeve të 11 majit 2025 nuk kishte si qëllim përfundimtar mbylljen e platformës, por ndërtimin e një marrëdhënieje më të strukturuar me TikTok për të adresuar problematika si abuzimi online dhe siguria e të miturve.
I pyetur nëse masa kishte ndikuar në uljen e dhunës mes adoleshentëve dhe në shkolla, Rama deklaroi se ndalimi ka qenë efektiv në krijimin e bashkëpunimit dhe në vendosjen e disa masave mbrojtëse që më parë nuk ekzistonin.
Kryeministri theksoi se pas takimeve të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e TikTok, qeveria shqiptare ka mbetur e impresionuar nga qëndrimi dhe gatishmëria e platformës për dialog. Ai shtoi se në javët ose muajt në vijim pritet të prezantohet publikisht plani i bashkëpunimit.
Shqipëria vendosi ndalimin e TikTok në mars 2025, pas një serie ngjarjesh të rënda të lidhura me dhunën mes të rinjve dhe abuzimin online, një vendim që u shoqërua me debate politike dhe reagime nga shoqëria civile.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






