Transmetuar më 19-12-2025, 11:44

Një 27-vjeçar është arrestuar në Tiranë, në kuadër të një operacioni policor kundër mashtrimit ekonomik.

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ka finalizuar operacionin e koduar “Reputacioni”, gjatë të cilit u arrestua shtetasi Kristjan Shpata, 27 vjeç, banues në Tiranë.

Sipas policisë, i riu dyshohet se blinte produkte dentare duke mashtruar furnitorët, të cilëve u prezantohej si përfaqësues i një kompanie dentare, ku kishte punuar më parë. Megjithëse nuk ishte më i autorizuar nga subjekti, ai vijonte të blinte produkte në emër të kompanisë dhe më pas i shiste në klinika dentare të ndryshme.

Hetimet tregojnë se nga kjo veprimtari e kundërligjshme, 27-vjeçari ka përfituar shuma të konsiderueshme parash, të dokumentuara deri tani në rreth 12 000 euro.

Operacioni u zhvillua pas administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të përfaqësuesve të kompanisë dentare, të cilët denoncuan se ish-punonjësi i tyre po përdorte emrin e subjektit për të blerë dhe shitur produkte pa autorizim.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit