Transmetuar më 19-12-2025, 10:18

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar pezullimin e përkohshëm të programit Diversity Visa (llotaria e kartës së gjelbër), pas një sulmi të rëndë me armë të ndodhur javën e kaluar në Brown University, ku humbën jetën dy persona.

Sipas autoriteteve amerikane, autori i dyshuar, një shtetas portugez 48-vjeçar, kishte hyrë në Shtetet e Bashkuara në vitin 2017 përmes këtij programi dhe kishte përfituar kartën e gjelbër. Ai u gjet i vdekur të enjten.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, deklaroi se vendimi është marrë me udhëzimin e Presidentit Trump, me qëllim rishikimin e kritereve të sigurisë së programit, për të garantuar se nuk do të rrezikohet siguria e qytetarëve amerikanë.

Autoritetet amerikane dyshojnë gjithashtu se i njëjti person është i përfshirë në vrasjen e një profesori portugez të Massachusetts Institute of Technology (MIT), disa ditë përpara ngjarjes në Brown University.

Programi Diversity Visa, i njohur edhe në Shqipëri si llotaria amerikane, u jep çdo vit mijëra shtetasve nga vende të ndryshme mundësinë për të emigruar ligjërisht në SHBA. Pezullimi i tij pritet të ndikojë edhe aplikantët nga Shqipëria, të cilët prej vitesh janë pjesë e këtij programi.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit