Transmetuar më 19-12-2025, 07:56

Tiranë- Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit do të mblidhet sot për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për autorizim për arrestimin e numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku. Partia Demokratike dhe kryeparlamentari Niko Peleshi më herët janë përfshirë në debate sa i takon USB-ës, e cila është kyçur në kasafortën e protokollit me argumentin se materialet janë sekret hetimor. Gjatë mbledhjes pritet të diskutohet, edhe me prokurorët e SPAK, se si do të trajtohen këto materiale.

Ndërkohë, në relacionin e dorëzuar në Kuvend për heqjen e imunitetit të Ballukut, SPAK rendit edhe arsyet se përse kërkon arrestimin e saj. Balluku dyshohet se ka manipuluar 12 tenderë me vlerë 1.2 mld euro, u ka bërë presion dëshmitarëve dhe rrezikon të bëjë krime më të rënda për shkak të personalitetit, renditet në relacionin e SPAK.

Në mbledhjen e sotme, zv.kryeministrja ka të drejtë të paraqitet vetë ose me avokat mbrojtës për t’u mbrojtur. Ndërkohë, në mbledhje marrin pjesë dhe prokurorët e SPAK që paraqesin provat se pse duan ta arrestojnë zëvendëskryeministren që ka edhe mandat deputeti.

Në të shkuarën, Këshillit i janë dashur të paktën 2 mbledhje për të shqyrtuar kërkesën.

Rregullorja e Kuvendit nuk ka afat se kur duhet ta mbyllë shqyrtimin. Nga mbledhja e fundit e Këshillit, janë maksimumi 2 javë kohë për hartimin e raportit, i cili duhet të votohet në seancën më të parë.

Ligji ka vetëm një parashikim 3 mujor, brenda të cilit, nëse nuk merret një vendim, kërkesa e prokurorisë rrëzohet.

Një ditë më parë, Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit të Ballukut, ndërkohë nuk mori në shqyrtim ankesën për pezullimin mga detyra, për t’i dhënë kohë Kushtetueses për tu shprehur për ankimin e kryeministrit Rama. Gjykata Kushtetuese e ktheu Ballukun në detyrë, deri më shqyrtimin e ankimit të qeverisë, që kërkon zgjidhjen e kompetencave me GJKKO-në.

Balluku është e pandehur për shkeljet me tenderin 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë, nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe 450 milionë euroshe. Ajo dyshohet se ka përcaktuar fituesit edhe të 3 tenderave të tjerë. Bëhet fjalë për koncesionin e ndërtimit të rrugës Thumanë-Kashar më shumë se 245 mln euro nga kompania Gener 2 e Bashkim Ulajt, tenderin e rrugës Porto Romano-Durrës 12 mln euro dhe mirëmbajtja e akseve të veriut me vlerë 440 mijë euro.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit