Transmetuar më 18-12-2025, 20:23

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka ftuar qytetarët e Kavajës dhe të mbarë Shqipërisë të nisin betejën pa kthim, deri në fitoren e tyre ndaj pushtetit. Gjatë fjalës së tij në ceremoninë zyrtare në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të PD-së në Kavajë, Berisha u shpreh se Edi Rama qëndron në pushtet se nuk ngrihen qytetarët. Sipas tij, Rama në një transaksion ka 50 milionë euro të vjedhura qytetarëve.

"Qytetarë dhe qytetarë të Kavajës, historia u thërret përsëri. Historia u thërret ju, thërret të gjithë shqiptarët që i thonë lirisë liri. Të ngrihemi për të përmbysur diktaturën e dytë. Diktaturën e cila po shkatërron me shpejtësi Shqipërinë dhe shqiptarët. Ju garantoj ju se Edi Rama qëndron në pushtet, jo se është i zoti, jo se ka mbështetje. Qëndron në pushtet se nuk ngrihemi ne. Por ne do ngrihemi. Ne, qytetarët e lirë, që i besojmë lirisë, s’pranojmë kurrë një regjim si ky. Vetëm, vetëm një emër që e keni dëgjuar vetë këto dy vitet e fundit. Ergys Agasi, i larguar. I larguar apo në shkozetë, hajde merre vesh tani.

Por në një transaksion ka 50 milionë euro të vjedhura qytetarëve. Vetëm në një transaksion jashtë shtetit. Vjedhjet e tyre janë të pafundme. Do u japim atë që meritojnë. Ndaj, shfrytëzoj këtë rast të ftoj qytetarët e Kavajës, që kanë qenë në krye të lëvizjes për përmbysjen e diktaturës komuniste. Rikujtoj dhe kurrë s’kam për ta harruar, 20 shkurtin e vitit ’91. Djemtë, burrat, gratë e Kavajës kishin një shqetësim të madh. Se mos diktatura, se mos diktatori ua bllokonte rrugën dhe s’do vinin dot. Janë nisur gjithë natën dhe kanë gdhirë, kanë gdhirë në Tiranë.

Dhe kanë qenë të gjithë në ballë të përmbysjes së shtatores së Hitlerit shqiptar. Ndaj, duke ju uruar gëzuar këtë festë, duke u përulur me nderimin më të madh para veprës së themeluesve të Partisë Demokratike, para veprës së grupeve antikomuniste, para qytetarëve dhe qytetareve të Kavajës, ftoj qytetarët e Kavajës dhe të mbarë Shqipërisë të nisim betejën tonë pa kthim, deri në fitoren tonë, fitoren e Partisë Demokratike, fitoren e Shqipërisë. Faleminderit, gëzuar." tha Berisha.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit