

Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i Donald Trump për misione speciale, ka reaguar në lidhje me një postim të kryeministrit Edi Rama në Hagë, pas vizitës te ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Grenell ka shpërndarë reagimin e Ramës dhe i jep të drejtë kreut të qeverisë shqiptare, teksa thekson se “Jack Smith është një turp”.
“Aleati i NATO-s dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e hedh poshtë çështjen ligjore të Jack Smith kundër ish-presidentit Thaçi në Hagë dhe turpëron europianët për lejimin e vazhdimit të kësaj padrejtësie. Jack Smith është një turp. Rama ka të drejtë”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Kujtojmë se më herët, kryeministri Rama e ka konsideruar procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së si një padrejtësi të rëndë në zemër të Europës.
Rama e përshkroi Gjykatën Speciale si godina ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare, duke theksuar se Thaçi u rrëmbye pa gjyq e as akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës.
Ndërsa ish-prokurori special federal Jack Smith është prokurori që ngriti akuza ndaj Hashim Thaçit, por edhe ndaj Donald Trump kur ky i fundit përfundoi mandatin e parë.
Prokurori amerikan Jack Smith, i cili ishte prokuror i nivelit të lartë në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së, mori detyrën si kryeprokuror në Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë në shtator 2018 duke akuzuar Thaçhi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sakaq, ditën e djeshme Jack Smith, në një seancë të mbyllur para Komitetit Juridik të Kongresit amerikan, ka mbrojtur vendimet dhe hetimet e tij penale kundër presidentit Donald Trump.
NATO ally and Albania Prime Minister Edi Rama eviscerates the Jack Smith legal case against former President Thaci at The Hague – and shames the Europeans for allowing the injustice to continue. Jack Smith is a disgrace.Rama is right. https://t.co/aXwDyB1Jai
— Richard Grenell (@RichardGrenell) December 18, 2025
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






