Transmetuar më 18-12-2025, 17:44

Gjyqtarja Fiona Papajorgji është zgjedhur kryetare e Gjykatës Kushtetuese, për një mandat 3-vjeçar.

Ajo pason në këtë detyrë ish-kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, mandati i së cilës përfundoi në mars të këtij viti, duke krijuar vakancën në krye të institucionit.

Papajorgji ishte kandidatura e vetme për këtë pozicion dhe zgjedhja e saj u bë në përputhje me procedurat ligjore të parashikuara.

Me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese plotëson drejtimin e saj institucional për tre vitet e ardhshme. /noa.al

Kush është Dr. Fiona Papajorgji – Anëtare e Gjykatës Kushtetuese

Dr. Fiona Papajorgji ka lindur më 12 mars 1976 në Vlorë. Në vitin 2000 ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Barit, Itali. Në vitin 2012 ka marrë gradën shkencore “Doktore e Shkencave Juridike” në të njëjtin universitet.

Nga viti 2000 deri në 2008 ka ushtruar profesionin si avokate ndihmëse dhe më pas si avokate në disa studio ligjore në Bari. Nga viti 2009 deri në 2011 ka shërbyer si juriste në Drejtorinë e Studimeve, Kërkimeve dhe Publikimeve pranë Gjykatës Kushtetuese.

Në periudhën 2011–2019, ajo ka ushtruar detyrën e këshilltares ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese. Paralelisht, që nga viti 2007 e në vijim, është angazhuar në mësimdhënie universitare si lektore e së Drejtës Publike në disa universitete.

Dr. Papajorgji ka ofruar ekspertizë ligjore në projekte të ndryshme, përfshirë ato pranë Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, si dhe në procese të përafrimit të legjislacionit. Ajo është autore e disa artikujve shkencorë në fushën e së drejtës kushtetuese.

Në vitin 2019, është angazhuar nga Shkolla e Magjistraturës si pedagoge e jashtme për Programin e Trajnimit Fillestar.

Në nëntor 2019, Dr. Fiona Papajorgji është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit