

Miliarderët Michael dhe Susan Dell kanë marrë vendimin të bëjnë një donacion gjigant prej 6.25 miliardë dollarësh, me synimin që 25 milionë fëmijë amerikanë nën moshën 10 vjeç të përfitojnë një stimul financiar përmes llogarive të reja të investimeve për fëmijë.
Këto fonde investimi janë krijuar në kuadër të paketës fiskale dhe buxhetore të administratës së Donald Trump, ndërsa donacioni i familjes Dell shërben për të rritur ndjeshëm kontributin fillestar për fëmijët përfitues.
Ky dhurim konsiderohet historik dhe pothuajse i paprecedentë: gjatë 25 viteve të fundit, shumë pak filantropë individualë kanë bërë angazhime që kalojnë shifrën 1 miliard dollarë, e aq më pak disa miliardë. Donacioni u shpall në GivingTuesday (Dita e Dhurimit) dhe sipas familjes Dell, ai përfaqëson angazhimin privat më të madh të bërë ndonjëherë për fëmijët në Shtetet e Bashkuara.
Dhurimi është i veçantë edhe për mënyrën se si do të zbatohet. Fondet do të kalojnë përmes llogarive të investimit të krijuara nga Departamenti Amerikan i Thesarit, por administrimi i tyre do të bëhet nga kompani private të menaxhimit të investimeve.
Programi, i njohur si “Llogaritë Trump”, ende nuk ka nisur zbatimin praktik, por u miratua më 4 korrik, si pjesë e ligjit kryesor të propozuar nga presidenti Trump. Administrata kishte njoftuar më herët se planifikon të depozitojë 1,000 dollarë për çdo fëmijë të lindur nga viti 2025 deri në 2028 në këto llogari investimi.
Fondet e mbledhura në llogaritë Trump do të investohen në fonde indeksi, të cilat ndjekin performancën e tregut të aksioneve.
“Llogaritë Trump do të jenë, në një farë mënyre, fondet e para të vërteta të besimit për çdo fëmijë amerikan, duke u dhënë mundësi familjarëve, punëdhënësve, korporatave dhe donatorëve bujarë të kontribuojnë fonde që do të investohen dhe do të rriten me kalimin e kohës,” deklaroi Donald Trump gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, disa orë pas shpalljes së donacionit të familjes Dell.
Trump shtoi më tej: “Do të jetë një investim, dhe ai investim do të vazhdojë të rritet, shpresojmë. Ne shpresojmë. Dhe do të rritet.”
Presidenti la të kuptohej se edhe ai vetë mund të kontribuojë personalisht në këto llogari. Ndërkohë, Michael Dell bëri të ditur se ka zhvilluar bisedime edhe me amerikanë të tjerë shumë të pasur, për t’i nxitur të japin kontributet e tyre.
“Dhurimi ynë do të mbulojë shumicën e fëmijëve 10 vjeç e më poshtë që nuk përfshihen në programin federal, pra fëmijët nga mosha zero deri në dy vjeç,” u shpreh Michael Dell, themelues dhe CEO i Dell Technologies, pasuria e të cilit vlerësohet në 148 miliardë dollarë, sipas Forbes.
Në kuadër të këtij angazhimi, familja Dell do të depozitojë 250 dollarë në llogarinë e investimit për çdo fëmijë që kualifikohet. Ata njoftuan se Departamenti i Thesarit planifikon t’i lançojë zyrtarisht këto llogari më 4 korrik 2026, datë e zgjedhur për të shënuar 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së.
Megjithatë, do të jetë përgjegjësi e familjeve dhe prindërve që të vazhdojnë të shtojnë fonde në këto llogari. Kur fëmijët të mbushin 18 vjeç, ata do të kenë të drejtë të tërheqin paratë për qëllime të tilla si arsimimi, blerja e një shtëpie ose hapja e një biznesi. Familja Dell shpreson se ky donacion do t’i motivojë familjet të hapin llogaritë dhe të kontribuojnë vazhdimisht, qoftë edhe me shuma të vogla, në mënyrë që investimi të rritet paralelisht me tregun e aksioneve.
Sipas Fondacionit Annie E. Casey, në vitin 2024 rreth 13% e fëmijëve dhe të rinjve në SHBA jetonin në varfëri. Ekspertët e lidhin këtë nivel të lartë varfërie me mungesën e mbështetjes sociale për prindërit e rinj, siç është mungesa e lejes së paguar prindërore.
Familja Dell do të depozitojë fondet në llogaritë e fëmijëve që jetojnë në zona postare ku të ardhurat mesatare familjare janë 150,000 dollarë ose më pak.
Megjithëse llogaritë Trump mund të ndihmojnë të rinjtë që marrin kontribute të vazhdueshme nga familjet ose punëdhënësit, ato nuk pritet të kenë një ndikim të menjëhershëm në uljen e varfërisë së fëmijëve. Për më tepër, shkurtimet në Medicaid, kuponët ushqimorë dhe programet e kujdesit për fëmijët, të përfshira gjithashtu në paketën buxhetore, pritet të reduktojnë mbështetjen për familjet me të ardhura të ulëta.
“Do të sigurohemi që çdo familje amerikane të ketë një pjesë në suksesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,” deklaroi Scott Bessent, sekretari i Thesarit, gjatë konferencës. “Njerëzit që kanë një interes real në sistem dhe investohen në të, nuk kanë dëshirë ta rrëzojnë atë. Ata duan ta përmirësojnë.” Ai shtoi se llogaritë Trump kanë hapur një epokë të re të kapitalizmit dhe interesit tregtar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






