

18 Dhjetor 2025
Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillohet seanca e radhës për dosjen “Plumbi i Artë”, ku këtë të enjte ka dëshmuar biznesmeni Lulzim Masha, i cili i shpëtoi një atentati të armatosur në Tiranë.
Gjatë dëshmisë së tij para trupit gjykues, Masha përshkroi rrethanat e ngjarjes, duke deklaruar se nuk ka pasur konflikte apo detyrime financiare me asnjë person. Ai tregoi se atentati ndodhi ndërsa po udhëtonte me automjetin e tij pranë zonës së Liqenit Artificial.
Sipas Mashës, autori i dyshuar po e priste në një kthesë ku shpejtësia e lëvizjes është e ulët, ndërsa ndodhej në trotuar, në një zonë të frekuentuar nga qytetarë që kryejnë aktivitet fizik. Ai dëshmoi se pas të shtënave vuri re autorin duke mbushur armën dhe më pas u largua nga vendngjarja, ndërsa ai njoftoi menjëherë policinë.
Biznesmeni theksoi se nuk njeh dhe nuk ka pasur asnjëherë kontakt me Suel Çelën, duke shtuar se emrin e tij e ka dëgjuar vetëm nga mediat. Ai sqaroi gjithashtu se as familjarët e tij nuk kanë qenë të përfshirë në konflikte apo probleme ligjore.
Ngjarja u mbyll pa të lënduar, duke shkaktuar vetëm dëme materiale në automjetin e Mashës. Për atentatin është arrestuar Skerdi Tase, ndërsa çështja është pjesë e hetimeve të gjera që po zhvillohen në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






