

Policia e Tiranës tha sot se ka finalizuar operacionin policor të koduar “Night”, të drejtuar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve.
Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe ndërhyrjes së shpejtë, shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë një 19-vjeçar, banues në Tiranë, i dyshuar për shpërndarje të lëndës së ndaluar në doza, kryesisht në lokale nate dhe zona me frekuentim të lartë në kryeqytet.
Operacioni u zhvillua në zona të ndryshme të Tiranës, përfshirë rrugët “Papa Gjon Pali II” dhe “Mustafa Matohiti”, ku i riu dyshohet se siguronte lëndën, e ndante në doza dhe e shiste në ambiente argëtimi.
Gjatë kontrollit fizik, Policia i gjeti dhe i sekuestroi 19-vjeçarit, me cilësinë e provës materiale, një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza dhe e gatshme për shpërndarje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, e cila po ndjek çështjen për veprime të mëtejshme ligjore. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






