Transmetuar më 18-12-2025, 12:42

Lirohet nga burgu ish-oficeri i RENEA-s, Arbër Paplekaj. Pafajësi për 6 policë specialë

Ish-oficeri i forcave speciale RENEA, Arbër Paplekaj, është liruar nga burgu, pas vendimit të Gjykatës së Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm në Tiranë, e cila ndryshoi ndjeshëm vendimin e dhënë më herët nga Gjykata e Elbasanit.

Paplekaj ishte arrestuar dhe dënuar për ngjarjen e ndodhur në Elbasan, ku humbi jetën biznesmeni Pjerin Xhuvani, i njohur si “Pipi”.

Fillimisht, në korrik të vitit 2023, Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan e kishte dënuar Paplekajn me 22 vite heqje lirie.

Pas kërkesës për rihapje të procesit, Gjykata e Apelit ndryshoi vendimin, duke e ulur dënimin në 7 vite burg, çka solli edhe lirimin e tij nga qelia, pasi kishte përmbushur pjesën përkatëse të dënimit.

Po ashtu, Apeli ndryshoi edhe kualifikimin juridik të veprës penale, duke e riklasifikuar akuzën nga “vrasje në rrethana cilësuese” në “vrasje në kushtet e tronditjes psikike”.

Në të njëjtin vendim, Gjykata e Apelit shpalli pafajësinë për gjashtë efektivë të forcave “Shqiponja”:

Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu. Për ta, Gjykata e Elbasanit kishte dhënë më herët dënim me 16 muaj shërbim prove, vendim që u rrëzua nga Apeli.

Gjithashtu, të pafajshëm janë shpallur edhe dy ish-zëvendësdrejtorë të Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla, për të cilët më parë ishte dhënë dënimi me nga 1 vit shërbim prove për secilin.

Ngjarja e rëndë në Elbasan ishte shoqëruar edhe me persona të tjerë të lënduar, përfshirë Emiljani Prengën, Paulin Vuksanin, Edjon Budanin dhe një punonjëse të Policisë së Shtetit.

Pas incidentit, Arbër Paplekaj ishte vetëdorëzuar në Repartin RENEA në Tiranë, duke deklaruar se kishte vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi sipas tij ishte qëlluar më parë. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit