

Operacion policor në qendër të Tiranës, tre persona në pranga pas një ngjarjeje të rëndë në Institut
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Akuza”, në kuadër të të cilit janë ndaluar tre shtetas, të dyshuar për përfshirje në një ngjarje të ndodhur rreth tri javë më parë në zonën e Institutit.
Si rezultat i punës informative dhe hetimore nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, është bërë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i autorit të dyshuar, 36-vjeçarit Fatmir Frroku, i cili u kap në bulevardin “Nënë Tereza”, pas ndjekjes së automjetit me të cilin lëvizte.
Sipas Policisë, Gjykata e Tiranës i kishte caktuar Frrokut masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale që lidhen me një ngjarje të ndodhur më 23.11.2025, në rrugën “Ramadan Citaku”, ku mbeti i lënduar shtetasi M. J.
Në pranga është vënë gjithashtu edhe shtetasi Izet Leka, 32 vjeç, ndaj të cilit Gjykata kishte caktuar masën “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar autorin të largohej nga vendngjarja.
Po ashtu, gjatë operacionit u arrestua në flagrancë edhe shtetasi Marsildo Ndoja, 30 vjeç, i cili shoqërohej me 36-vjeçarin në momentin e ndalimit dhe akuzohet për të njëjtën vepër penale.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, ndërsa pas saj autori i dyshuar është ndihmuar nga persona të tjerë për t’u larguar dhe për t’iu shmangur arrestimit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






