Transmetuar më 18-12-2025, 11:22

Seanca e fundit parlamentare e Kuvendit të Shqipërisë për vitin 2025 është mbyllur mes tensionesh të forta, flakadanësh, përplasjeve fizike dhe akuzave politike, duke e bërë të pamundur zhvillimin normal të punimeve.

Salla e Kuvendit u mbush me tym për shkak të flakadanëve të ndezur, ndërsa situata u përshkallëzua me përplasje mes deputetëve të opozitës dhe punonjësve të Gardës, të cilët tentonin të rikthenin rendin në sallë. Përplasjet dhe zhurmat penguan vazhdimisht vijimin e seancës.

Mes këtij kaosi u zhvillua edhe betimi i Avokatit të Popullit, Endri Shabani. Me propozim të kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, Kuvendi kaloi fillimisht në votimin e prezencës dhe më pas në votimin e disa projektligjeve, me qëllim mbylljen formale të seancës.

Gjatë gjithë kohës, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, qëndroi në këmbë në sallë, duke transmetuar zhvillimet drejtpërdrejt në profilin e tij në rrjetet sociale. Ai bllokoi foltoren dhe refuzoi të largohej, ndërsa deputetë të PD-së zunë vendet e ministrave, duke mos u ulur në vendet e tyre.

Në këtë situatë, Kryetarja e Kuvendit përjashtoi nga seanca dy deputetë të PD-së, Klevis Balliu dhe Flamur Noka, të cilët sipas saj hodhën sende në drejtim të ministrave dhe punonjësve të Gardës.

Deputetë të opozitës u përplasën fizikisht edhe me Gardën, duke kërkuar largimin e tyre nga salla. Po ashtu, u hodhën ujë dhe letra në drejtim të ministrit Niko Peleshi dhe punonjësve të sigurisë.

Përballë këtij kaosi, Niko Peleshi kaloi drejtpërdrejt në votim, dhe mes zhurmës e tensioneve u miratua rendi i ditës, si edhe disa prej projektligjeve që ishin në agjendë.

E gjithë seanca zgjati më pak se një orë, por u shoqërua nga një klimë e rëndë tensioni politik, duke shënuar një mbyllje të trazuar të sesionit parlamentar për këtë vit. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit