Transmetuar më 17-12-2025, 18:53

Mbledhja e Këshillit Kombëtar, Berisha shtyn analizën për humbjen e zgjedhjeve: Jemi në provën më të madhe përpara vendit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njoftoi shtyrjen e analizës së brendshme për humbjen e zgjedhjeve gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së, duke e justifikuar vendimin me atë që e cilësoi si një situatë emergjente politike në vend.

Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se Partia Demokratike ndodhet përballë “provës më të madhe” jo vetëm si forcë politike, por edhe përballë qytetarëve dhe të ardhmes së vendit. Sipas tij, rrethanat aktuale e bëjnë të pamundur zhvillimin e analizës së planifikuar për këtë mbledhje, e cila do të shtyhet për një takim tjetër të afërt.

Berisha tha se qëllimi më kryesor i analizës duhet të jetë një PD që rrëzon këtë regjim si kushti i kushteve për zgjedhje të lira.

"Tani, pa diskutim që këtë forum, këtë organ dhe të gjitha organet e partisë nuk mund t’i pengojë asgjë pa bërë debatin më serioz, më të përgjegjshëm, më të mirë, analizën më të shkëlqyer që është bërë ndonjëherë, dhe kjo me qëllim më kryesor për një PD që rrëzon këtë regjim. Si kushti i të gjitha kushteve për të pasur zgjedhje të lira", tha Berisha.

Akuzat ndaj qeverisë

Ai akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për shtypje të pluralizmit dhe përdorim të institucioneve kundër opozitës, duke pretenduar se kjo situatë është e dokumentuar edhe në rezoluta ndërkombëtare. Berisha theksoi se, pavarësisht presionit, Partia Demokratike ka qëndruar dhe do të vazhdojë të qëndrojë, duke u përqendruar, sipas tij, në përgatitjen e një reagimi politik ndaj asaj që e quajti “një organizatë kriminale”.

Kryedemokrati përdori tone të ashpra ndaj kryeministrit Rama, duke e akuzuar se është i gatshëm të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushtet dhe se po përpiqet të ndikojë mbi drejtësinë. Ai deklaroi se opozita nuk do të lejojë, sipas tij, asnjë cenim të pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

Berisha iu referua gjithashtu çështjes së tunelit të Llogarasë, duke pretenduar se përgjegjësia politike dhe administrative për këtë projekt lidhet drejtpërdrejt me kryeministrin. Ai akuzoi ministra të qeverisë se kanë vepruar nën urdhra politikë dhe se kryeministri po angazhohet për t’i mbrojtur, për shkak të pasojave që kjo çështje mund të ketë për të.

Në fjalën e tij, Berisha bëri edhe krahasime me raste të mëparshme politike, duke përmendur dorëheqjen e Ilir Metës në vitin 2011, si një standard që, sipas tij, sot nuk po respektohet. Ai shtoi se koha do të tregojë, sipas tij, se përgjegjësit politikë nuk do të mund t’i shmangen llogaridhënies.

Në përfundim, Berisha u bëri thirrje strukturave dhe mbështetësve të Partisë Demokratike që të përqendrohen në atë që ai e cilësoi si “betejë politike” deri në largimin e kryeministrit nga pushteti. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit