Transmetuar më 17-12-2025, 18:41

Shkencëtarët zbulojnë një mekanizëm kyç që kontrollon oreksin e njeriut

Një studim i ri shkencor ka hedhur dritë mbi mekanizma deri tani pak të njohur që rregullojnë oreksin dhe balancën energjetike të organizmit, duke hapur perspektiva të reja për trajtimin e obezitetit. Zbulimi mund t’i ndihmojë studiuesit të kuptojnë më mirë mënyrën se si faktorët biologjikë dhe gjenetikë ndikojnë në shtimin e peshës trupore.

Studimi që citon noa.al është realizuar nga një ekip ndërkombëtar kërkimor, i udhëhequr nga shkencëtarë të Universitetit të Birminghamit në Mbretërinë e Bashkuar. Ata zbuluan se një proteinë me rol vendimtar në kontrollin e oreksit dhe menaxhimin e energjisë bashkëvepron ngushtë me një proteinë tjetër, duke ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si trupi ruan ose shpenzon energjinë.

Sipas studiuesve, proteina e quajtur MRAP2 mbështet funksionimin e një proteine tjetër të rëndësishme, të njohur si MC3R, e cila luan rol qendror në vendimmarrjen biologjike të trupit për ruajtjen ose përdorimin e energjisë. Studime të mëparshme kishin treguar se MRAP2 është thelbësore për funksionimin korrekt të proteinës MC4R, e cila kontrollon ndjesinë e urisë. Në këtë studim të ri, shkencëtarët synuan të kuptonin nëse MRAP2 luan një rol të ngjashëm mbështetës edhe për MC3R, e cila është strukturalisht e ngjashme.

Eksperimentet e kryera në modele qelizore treguan se, kur MRAP2 ishte e pranishme në të njëjtën sasi me MC3R, sinjalizimi qelizor bëhej më i fortë dhe më efikas. Kjo tregon se MRAP2 ndihmon MC3R të kryejë më mirë funksionin e saj në ruajtjen e ekuilibrit mes marrjes së ushqimit dhe shpenzimit të energjisë. Studiuesit identifikuan gjithashtu zona specifike të proteinës MRAP2 që janë të domosdoshme për mbështetjen e sinjalizimit si të MC3R ashtu edhe të MC4R.

Si ndikojnë mutacionet gjenetike në kontrollin e oreksit

Në fazën tjetër të studimit, ekipi kërkimor analizoi se çfarë ndodh kur MRAP2 paraqet mutacione gjenetike, të cilat janë identifikuar te disa persona me obezitet. Rezultatet treguan se format e mutantuara të MRAP2 nuk ishin më në gjendje të përforconin sinjalizimin e MC3R, duke bërë që mekanizmi i kontrollit të oreksit të funksiononte më dobët.

Këto gjetje sugjerojnë se ndryshimet në MRAP2 mund të prishin funksionimin normal të sistemit hormonal që ruan balancën energjetike të trupit. Kur ky sistem nuk punon siç duhet, organizmi mund të ketë vështirësi në rregullimin e ndjenjës së urisë dhe në përdorimin efikas të energjisë.

“Rezultatet tona na japin informacion të rëndësishëm mbi mënyrën se si funksionon sistemi hormonal në procese thelbësore, si balanca energjetike, oreksi dhe edhe koha e zhvillimit të pubertetit”, shpjegon Dr. Karolain Gorvin, profesoreshë e asociuar në Universitetin e Birminghamit dhe autore kryesore e studimit.

Ajo shton se identifikimi i MRAP2 si një “ndihmës” kyç i proteinave që kontrollojnë oreksin ofron një pasqyrë më të qartë për individët me predispozitë gjenetike ndaj obezitetit dhe tregon se mutacionet në këtë proteinë përbëjnë një tregues të qartë të rrezikut të shtuar për shtim në peshë.

Ekipi shkencor synon të hetojë më tej nëse në të ardhmen mund të zhvillohen medikamente që synojnë drejtpërdrejt këtë proteinë. Trajtime të tilla mund të ndihmojnë në rritjen e ndjesisë së ngopjes, në kufizimin e konsumit të tepërt të ushqimit dhe në përmirësimin e balancës energjetike, duke ofruar alternativa të reja për humbjen e peshës kur ndryshimet në dietë nuk mjaftojnë. /noa.al

Studimi u publikua më 16 dhjetor në revistën shkencore Science Signaling.

Foto: Pixabay

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit