

Rikthehet në tryezë çështja e ZEE-së mes Shqipërisë dhe Greqisë
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Eliza Spiropali, e cila ndodhet në Greqi, takoi në Ministrinë e Jashtme greke homologun e saj,Giorgos Gerapetritis.
Mediat greke që citon noa.al zbulojnë detaje nga biseda në të cilën është folur gjerësisht edhe për çështjen e zonës ekonomike detare që u rrëzua nga gjykata Kushtetuese me kërkesë atëherë të kryeopozitarit Edi Rama.
Mësohet se për këtë çështje është përcaktuar një kalendar menaxhimi, i cili shtrihet në një fazë të parë, në një periudhë gjashtëmujore.
"Në axhendën e bisedimeve mes dy ministrave të Jashtëm u përfshi çështja e përcaktimit të zonave detare, me diferencën që, po orientohet drejt Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Eliza Spiropali duke folur për çështjen e përcaktimit të Zonës Ekonomike Ekskluzive (ZEE) mes Greqisë dhe Shqipërisë, tha: “Shqipëria mbetet e përkushtuar në zgjidhjen e çështjeve që lidhen me kufijtë, përfshirë përcaktimin e zonave detare, në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare, parimet e fqinjësisë së mirë dhe jemi plotësisht të hapur për bashkëpunim konstruktiv, për të respektuar vlerat evropiane për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe forcimin e stabilitetit në Ballkan”.
Sa i përket konkretisht çështjes së përcaktimit të zonave detare, burime kompetente që citon media greke theksuan se çështje të tilla shpeshherë zgjidhen më mirë përmes konsultimeve që nuk zhvillohen publikisht. Sipas të njëjtave burime, në periudhën e ardhshme, të dyja palët do të krijojnë ekipet e tyre teknike, me synimin që kjo procedurë të avancojë drejt zgjidhjes.
Nga ana e tij, Giorgos Gerapetritis, duke pranuar se dy vendet kanë kaluar “edhe momente të vështira dhe sprova”, theksoi se gjeografia e përbashkët dhe konteksti gjeopolitik imponojnë që Athina dhe Tirana të shohin përpara për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






