Transmetuar më 17-12-2025, 18:21

Partia Demokratike po zhvillon sot mbledhjen e Këshillit Kombëtar.

Mbledhja nisi me fjalën e kreut të partisë, Sali Berisha, ndërsa diskutimet do vijojnë me dyer të mbyllura. Në fillim ai sqaroi se pse u vonua mbledhja e Këshillit.

“Do ta filloj këtë fjalë së pari me një sqarim të domosdoshëm për vonesën e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD pas zgjedhjeve të 11 majit. Duhet të garantoj çdo demokrate e demokrat, çdo anëtare dhe anëtar të Këshillit Kombëtar se kjo vonesë ka pasur vetëm një shkak, dhe ky shkak ka qenë mbrojtja e votës së qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.

Në rendin e ditës janë dy pika për diskutim.

E para ka të bëjë me protestën e 22 dhjetorit dhe mobilizimin e anëtarëve të PD-së për të pasur sa më shumë qytetarë në shesh. Por nuk do të shmangen edhe diskutimet sa i përket lëvizjeve brenda Partisë Demokratike pasi shumë anëtarë të Këshillit Kombëtar kanë shprehur pakënaqësinë e tyre dhe presin që sot kritikat t’i shprehin edhe aty.

Nga ana tjetër, rreth 17 anëtarë të Këshillit Kombëtar kanë ndërtuar një platformë që do i prezantohet Këshillit Kombëtar. Ajo ka të bëjë me desorifikimin e PD-së dhe kërkohet që të largohen nga PD të gjithë ata individë që është vërtetuar që kanë përfituar ose kanë qenë pjesë e tenderave të dhëna nga qeveria Rama. Do të shihet nëse do miratohet nga Këshilli Kombëtar apo jo.

Sipas dokumentit, bëhet fjalë për një platformë për “desorosifikimin” e Partisë Demokratike, si dhe për largimin nga strukturat e partisë të individëve që kanë përfituar tendera nga mazhoranca socialiste.

Në kërkesë theksohet gjithashtu se duhet të merren masa edhe ndaj atyre anëtarëve që, sipas pretendimeve të platformës, kanë përfituar ndihma apo bursa nga fondacioni Soros.

Dokumenti është firmosur nga 17 anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD, të cilët kërkojnë që platforma të merret në shqyrtim dhe të diskutohet në mbledhjen e sotme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit