Transmetuar më 17-12-2025, 17:05

Presidenti rus Vladimir Putin ka ashpërsuar ndjeshëm retorikën ndaj Perëndimit, duke sulmuar drejtpërdrejt liderët evropianë, të cilët i quajti “derra të vegjël”, dhe duke paralajmëruar se Rusia do t’i realizojë objektivat e saj territoriale në Ukrainë, qoftë përmes diplomacisë apo përmes forcës ushtarake.

Duke folur të mërkurën në një takim vjetor me Ministrinë e Mbrojtjes, Putin deklaroi se synimet e asaj që Moska e quan “operacion special ushtarak” do të përmbushen “pa kushte”.

“Nëse ata nuk duan një diskutim thelbësor, atëherë Rusia do t’i çlirojë tokat e saj historike në fushën e betejës,” u shpreh ai.

Putin akuzoi gjithashtu administratën e mëparshme amerikane se “e drejtoi qëllimisht situatën drejt një konflikti të armatosur”, duke shtuar se Uashingtoni besonte se Rusia mund të dobësohej apo edhe të shkatërrohej brenda një kohe të shkurtër.

Në vijim, presidenti rus sulmoi liderët europianë, duke i akuzuar se u rreshtuan pas politikave të ish-presidentit amerikan Joe Biden. “‘Derrat e vegjël’ të Europës iu bashkuan menjëherë punës së administratës së mëparshme amerikane, me shpresën për të përfituar nga shembja e vendit tonë,” tha Putin.

Deklaratat e forta të Kremlinit vijnë në një kohë kur zyrtarë amerikanë kanë pohuar se bisedimet e zhvilluara së fundmi me Ukrainën në Berlin kanë zgjidhur rreth 90% të çështjeve më të vështira. Megjithatë, mbeten dyshime serioze nëse Putin është i gatshëm të bëjë kompromis lidhur me kërkesat e tij të gjera.

Putin ka këmbëngulur vazhdimisht që Kievi të dorëzojë pjesët e mbetura të rajonit lindor të Donbasit që janë ende nën kontrollin e Ukrainës – një kërkesë që Ukraina e ka refuzuar kategorikisht. Moska po ashtu kërkon kufizime të rrepta mbi ushtrinë ukrainase, ndalimin e pranisë së trupave perëndimore në territorin e Ukrainës dhe ndërprerjen e mbështetjes ushtarake nga Perëndimi.

Nga ana tjetër, presidenti rus mohoi se Rusia po planifikon të sulmojë territorin e NATO-s. Ai pretendoi se është vetë aleanca ajo që po përgatitet për një përballje të mundshme ushtarake me Rusinë, me një horizont kohor që shkon deri në vitin 2030.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit