

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë deklarata të forta lidhur me çështjen e bashkëpunimit të politikës me krimin e organizuar, duke theksuar se kjo mbetet një “vijë e kuqe absolute” për të dhe për forcën politike që ai drejton.
Në një deklaratë publike, Berisha u shpreh se gjatë gjithë karrierës së tij politike, edhe në momentet më të vështira, nuk ka bërë dhe nuk do të bëjë kurrë kompromis me krimin. Sipas tij, kjo ka qenë dhe mbetet një zgjedhje e drejtë, pavarësisht kostove politike që mund të ketë sjellë.
Ai deklaroi se është e papranueshme që një anëtar i strukturave drejtuese të Partisë Demokratike të përfshihet, sipas tij, në organizimin e takimeve me persona të lidhur me botën e krimit. Berisha akuzoi drejtpërdrejt deputetin Ervin Salianji, duke pretenduar se ky i fundit ka organizuar një takim me Suel Çelën, të cilin e cilësoi si figurë të rrezikshme të krimit në Elbasan.
Sipas Berishës, çdo veprim i tillë përbën tejkalim të vijës së kuqe dhe personat që ndërmarrin iniciativa të tilla mbajnë përgjegjësi personale për veprimet e tyre. Ai theksoi se nuk do të pranojë në asnjë rrethanë bashkëpunim me kartele droge apo organizata kriminale.
Berisha shtoi se, sipas informacioneve që disponon, takimi në fjalë është organizuar në mënyrë të fshehtë dhe se ka pasur reagim të fortë nga strukturat e Partisë Demokratike në Elbasan, të cilat, sipas tij, e kanë bojkotuar këtë takim.
Në përfundim, Berisha nënvizoi se Partia Demokratike ka një qëndrim të prerë dhe të pandryshueshëm: çdo formë bashkëpunimi me krimin e organizuar apo kartelet e drogës është e papranueshme.
Nga ana e deputetit Ervin Salianji dhe personave të përmendur në deklaratë nuk ka ende një reagim zyrtar lidhur me këto akuza të rënda.
Pjesa e plotë:
Tani, do të ju them një gjë. Në të gjithë karrierën time politike dhe në ditët më të vështira, kurrë, kurrë nuk kam bërë dhe nuk bëj kompromis me krimin.
Kurrë nuk kam bërë dhe nuk bëj kompromis me krimin.
Dhe nëqoftëse e ndjek këtë betejë, pavarësisht nga çmimi që ka patur, kam bindjen më të thellë se, ka qenë dhe është vendimi më i drejtë.
Vija e kuqe e Sali Berishës është ndarëse, bashkëpunimi me krimin.
Që një anëtar i kuoptuar i kryesisë dhe anëtar i Këshillit Kombëtar, të organizojë takim me Suel Çelën, kriminelin më të rrezikshëm të Elbasanit, kreun e një prej karteleve më të fuqishme në Europë, kjo është absolutisht e papranueshme dhe kurrë nuk mund të kalojë.
Në këtë kontekst ai që ndërmerr një veprim të tillë, ai tejkalon vijën e kuqe dhe ai është përgjegjës për veten e tij.
Nuk mund të pranoj kurrë, edhe njëherë asnjë formë bashkëpunimi me asnjë nga kartelet e drogës, as me organizatat kriminale.
Përsa i përket takimit që thoni ju, kemi informacione, jo një por disa të cilat pohojnë se, Suel Çela ka qenë organizator në hije kryesor i takimit.
Përshëndes të gjithë drejtuesit e Partisë Demokratike të Elbasanit, strukturat e saj që e bojkotuan me neveri një takim të tillë.
Pra kjo parti ka linjë absolute të kuqe, çdo formë bashkëpunimi me organizatat kriminale dhe kartelet e drogës, kaq."
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






