Transmetuar më 17-12-2025, 14:09

Ilir Meta do të merret në pyetje nga SPAK për ngjarjet e 21 janarit 2011

Ilir Meta, kryetar i partisë së Lirisë, ish Lëvizje Socialiste për Integrim (LSI), këtë të enjte do të shkojë në SPAK për të dëshmuar mbi 21 janarin 2011.

Bëhet fjalë për demonstratën e thirrur nga Edi Rama atëherë në opozitë si kryetar i PS, protestë që u bë kundër Ilir Metës dhe precipitoi në dhunë të gjerë nga një pjesë e protestuesve dhe qitje me armë zjarri nga Garda duke i marrë jetën 4 personave të pranishëm.

Z.Meta njoftoi sot se, do të paraqitet ditën e nesërme në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku do të merret në pyetje në orën 10:00, në lidhje me ngjarjet e 21 janarit 2011.

Ka qenë vetë Meta ai që, disa javë më parë, ka kërkuar të dëshmojë për këtë çështje, duke shprehur gatishmërinë për t’u pyetur nga organet e drejtësisë.

Prej më shumë se një viti, ish-Presidenti i Republikës ndodhet në paraburgim, ndërsa po përballet me disa akuza të ngritura nga SPAK, në kuadër të hetimeve të ndryshme penale.

Më herët, për ngjarjet e dhunshme gjatë demonstratës së 21 janarit 2011, SPAK ka marrë në pyetje edhe figura të tjera të njohura politike, mes tyre ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-kryetarin e Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, si dhe ish-Presidentin Bamir Topi.

Hetimet për këtë çështje vijojnë. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit