

TIRANË- Autoriteti i Konkurrencës ka analizuar tregun e shumicës së fruta-perimeve në disa qarqe të vendit. Komisioni njoftoi mbi një grup ndërmarrjesh duke i cilësuar si bashkërendëse të çmimit blerës gjatë periudhave të ndryshme. Në këtë raport, kompanitë si ,Omer Fruit SHPK, Nedrete Arapi PF, Besim Thaqi PF, Morina Grup SHPK, Fruit-To-Zela SHPK dhe Roland-2012 SHPK, kanë aplikuar ‘shtresë mbi kosto’ në çmime dhe kjo e gjitha bie në kurriz të fermerëve.
Në njoftim thuhet se sipas nenit 4 të ligjit nr.9121/2003 , kjo përbën shkelje të rëndë dhe për këtë Komisioni ka ndërmarrë masa duke vendosur gjoba deri në 0.5% të xhiros vjetore të vitit të kaluar, për bizneset e lartpërmendura.
Autoriteti i Konkurrencës tregon pse ky vendim është i rëndësishëm për fermerët e vendit tonë:
Njoftimi:
"Autoriteti i Konkurrencës përfundoi vlerësimin e praktikave në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta–perimeve në qarqet Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë, pas një procedure të thelluar hetimore që zgjati gati dy vite dhe përfshiu monitorimin e tregut, hetimin paraprak dhe hetimin e thelluar.
Në mbledhjen e datës 26.11.2025, Komisioni i Konkurrencës miratoi vendimet nr. 1234–1239, me të cilat konstatoi se një grup ndërmarrjesh grumbulluese – Omer Fruit SHPK, Nedrete Arapi PF, Besim Thaqi PF, Morina Grup SHPK, Fruit-To-Zela SHPK dhe Roland-2012 SHPK – kanë bashkërenduar çmimet e blerjes gjatë periudhave të sezonit, duke diktuar çmimet në dëm të fermerëve dhe duke aplikuar mark-up (shtesë mbi kosto) shumë të lartë, deri në 115%.
Kjo sjellje e bashkërenduar përbën marrëveshje të ndaluar sipas nenit 4 të ligjit nr.9121/2003 dhe është cilësuar si shkelje e rëndë, për të cilën Komisioni ka vendosur gjoba deri në 0.15% të xhiros së vitit financiar paraardhës.
Pse ky vendim është i rëndësishëm për fermerët në gjithë Shqipërinë
Hetimi i thelluar tregoi se disa grumbullues, falë fuqisë së tyre negociuese, kishin krijuar një situatë ku fermerët shpesh përballeshin me:
çmime të diktuara e të koordinuara, dyer të mbyllura për negocim, varësi të tepruar nga pak blerës, presione për uljen e çmimeve, dhe shlyerje të vonuara të pagesave. Vendimi i Autoritetit të Konkurrencës adreson në mënyrë të drejtpërdrejtë këto problematika dheforcon pozitat e fermerëve në treg, duke krijuar kushte për:
çmime më të drejta e më transparente, konkurrencë të ndershme mes grumbulluesve, mundësi reale zgjedhjeje për fermerët, pagesa më të sigurta dhe marrëdhënie më të balancuara kontraktuale, frenimin e skemave të koordinuara që dëmtonin të gjithë tregun kombëtar. Për më tepër, megjithëse gjobiten 6 ndërmarrje,efekti i vendimit shtrihet në të gjithë tregun kombëtar, sepse:
sjell qartësi mbi praktikat e ndaluara, vendos standarde të reja për transparencën e çmimeve, synon disiplinimin e tregut të fruta-perimeve, dhe nxit konkurrencën e ndershme për të gjithë aktorët. Kjo është një ndërhyrje strukturore me impakt të drejtpërdrejtë në zinxhirin ushqimor dhe një sinjal i qartë se Autoriteti i Konkurrencës mbron interesat e fermerëve, një kategori që shpesh përballet me pabarazi të theksuar në negociata.
Detyrime dhe masa korrigjuese për grumbulluesit
Komisioni ka urdhëruar ndërmarrjet e gjobitura që:
të afishojnë në mënyrë të dukshme çmimet aktuale të produkteve që grumbullojnë, të jenë subjekt monitorimi për 1 vit nga Autoriteti i Konkurrencës. Këto masa synojnë rritjen e transparencës dhe krijimin e një tregu më të drejtë për fermerët.
Rekomandime për Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Me vendimin nr. 1240, Komisioni i Konkurrencës ka adresuar institucionet përgjegjëse me rekomandime të rëndësishme për reformimin e tregut, përfshirë:
minimizimin e informalitetit në gjithë zinxhirin e tregtimit, hartimin e një baze të re ligjore në përputhje me standardet e BE, krijimin e një platforme kombëtare online të çmimeve (bursë agro-ushqimore), vendosjen e kontratave të detyrueshme dhe të standardizuara, dhe bashkëpunimin për transpozimin e Direktivës së BE për praktikat tregtare të padrejta (UTP). Nëpërmjet këtyre vendimeve, Autoriteti i Konkurrencës vijon përmbushjen e misionit të tij për të garantuar konkurrencë të lirë dhe të ndershme, duke kontribuar drejtpërdrejt në mbrojtjen e fermerëve, rritjen e transparencës dhe funksionimin më të drejtë të tregut agro-ushqimor në Shqipëri"
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






