Transmetuar më 17-12-2025, 13:16

Ylli i dikurshëm i muzikës shqiptare Parashqevi Simaku u rikthye te rruga ku u gjet e pastrehë. Bashkë me modelin Elton Ilirjani të cilin e quan engjëllin e saj, këngëtarja shfaqet me një video ku shpreh urimet për festat e fundvitit.

Parashqevia tregon në kamera pikërisht vendin në Manhattan ku ajo siç ka treguar, qëndroi për të paktën 2 vjet në rrugë duke lypur, mes një stërmundimi në kushte mbijetese.

Ilirjani ishte personi kryesor që ndihmoi Parashqevi Simakun. Ai i ka qëndruar vazhdimisht pranë gjatë këtij viti duke e larguar nga rruga.

“Pas 1 viti te vendi që preku gjithë shqiptarët”, thotë Ilirjani dhe shton: “Të kam shumë xhan! Ti nuk do jesh kurrë në rrugë apo në problem! Sepse zotohem që çdo gjë do financohet nga unë personalisht! Qira shtëpie, jetesa jote e përditshme dhe çdo gjë që do ti”.

Kur Parashqevia u bë objekt i gjerë mediatik dhjetorin e kaluar, ajo arriti të takohet pas shumë vitesh me djalin e saj Luke. Por muaj më pas, ai nuk dëshiron më të takohet me të.

Këngëtarja duket se ka luhatje mendore, pasi nuk e beson që është e divorcuar dhe nuk pranon as të bëjë dokumentacionin e identifikimit. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit