Transmetuar më 17-12-2025, 12:56

Berisha: Lubia po e merr me vete Edi Ramën! Evis Berberi ka 403 video të të gjitha llojeve vetëm në një celular

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar sot akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesve të mazhorancës, gjatë një deklarate publike, ku përdori tone të ashpra dhe referenca figurative.

Berisha u shpreh se, sipas tij, pas komunikimit të akuzës, një prej figurave të përfshira në çështje penale ka shkuar menjëherë në Kryeministri, duke i thënë Ramës se “do ta marrë me vete”.

Ai e krahasoi situatën me një përrallë popullore, duke pretenduar se një person i implikuar po tërheq pas vetes edhe kryeministrin.

Sipas Berishës, një ditë më pas është mbajtur një mbledhje në selinë e Partisë Socialiste, ku janë mbledhur anëtarë të qeverisë dhe drejtues të partisë, dhe ku, sipas tij, është ushtruar presion që askush të mos flasë për çështjen në fjalë.

Ai akuzoi kryeministrin Rama se ka dalë publikisht në mbrojtje të Partisë Socialiste dhe personave të përfshirë, duke pretenduar se përgjegjësia i është faturuar SPAK-ut dhe jo mazhorancës.

Berisha iu referua gjithashtu një debati të gjatë, ku sipas tij janë përmendur mesazhe dhe materiale që ndodhen në telefonin e një personi të quajtur Evis Berberi. Ai deklaroi se, sipas pretendimeve të tij, në një prej pajisjeve celulare ndodhen qindra minuta regjistrime video “të të gjitha llojeve”, të cilat, sipas tij, janë komprometuese.

Kryedemokrati tha se këto elemente, sipas versionit të tij, kanë krijuar tension dhe kanë ndikuar në qëndrimin e kryeministrit, duke e akuzuar atë se është “tërhequr” përballë situatës.

Nga ana e qeverisë dhe e kryeministrit Edi Rama nuk ka ende një reagim zyrtar lidhur me këto deklarata. /noa.al

E plotë:

Unë u kisha informuar ju dhe qytetarët shqiptarë se Lubia, dhe ju lutem shumë mos i thoni Luba, se Luba shkon në drejtim të dashurisë, kurse Lubia shkon në drejtim të kuçedrës.

Po merr me vete Ramën.

Unë ju kisha informuar ju se menjëherë pas komunikimit të aktakuzës, ajo shkoi direkt në kryeministri dhe i tha se do të marr me vete.

Dhe atëherë, për të qartësuar opinionin publik, u detyrova t’i referohem legjendës apo përrallës ‘keni parë, nuk keni parë, shkon një i vdekur me një të gjallë, hipur të dy në një kalë’.

Lubia e mori për krahu të nesërmen në selinë e PS, mblodhi gjithë qeverinë dhe kryesinë, dhe me tonet më kërcënuese u tha se cilido që të flasë, do ta marr me vete. Dhe Rama, i palosur, tha se Skapi është kundër PS, Lubia nuk ka bërë asgjë, gjithë problemi është tek unë.

Këtu para jush u informova se në debatin 7-orësh, ku Rama në vetëmbrojtje, si trumcaku që harron, nuk mban mend ato që bën, i kthehet dhe i thotë, ato mesazhet na prishën shumë punë.

Cilat mesazhe, i thotë Lubia.

Mesazhet në telefonin e Evis Berberit.

Po të tuat janë shumë më keq, shumë më komprometuese.

Pale pastaj që i rikujtoi se Evis Berberi ka vetëm në një celular 403 minuta video të të gjitha llojeve.

Rama u palos."

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit