

Gazetari italian që ka në pronësi në Shqipëri tv informativ Report, në një editorial të tij sot, shprehet se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku duhet të japë dorëheqjen duke shtuar se duhet ta kishte bërë këtë që kur u pezullua nga SPAK me akuzën e pabarazisë në tenderë.
Bolino, dukshëm mbështetës i Ramës, dhe opozitar i fortë i Berishës, thotë se kjo "nuk është dorëheqje faji, por dorëheqje koherence, respekti dhe një mënyrë më e mirë për të mbrojtur veten, por edhe partinë dhe kolegët e saj".
Ai thotë se "parimi me të cilin kryeministri Edi Rama u angazhua personalisht në ankimin në Gjykatën Kushtetuese kundër pezullimit të saj ishte një detyrim institucional: Rama duhej të riafirmonte pengesën që pushteti gjyqësor ka për të pezulluar, pa autorizimin e parlamentit, një anëtar të pushtetit ekzekutiv, dhe deri tani ka fituar".
Bolino pohon se SPAK, duke mos mundur ta pezullojë Ballukun, u ‘’detyrua’’ të kërkojë arrestimin e saj dhe argumenton se "Arsyeja e pezullimit nga funksionet qeveritare kishte qenë pikërisht shmangia e përsëritjes së të njëjtit krim dhe prishjes së provave: dy nevoja hetimore të cilat Gjykata Kushtetuese nuk i vuri në diskutim, dhe që për SPAK-un vlejnë ende. Janë të njëjtat arsye që me shumë gjasa do jenë baza e kërkesës për arrest".
Në këtë pikë Bolino beson se "dorëheqja nga detyra e ministres dhe e zëvendëskryeministres, do t’i kishte mundësuar (dhe i mundëson ende sot) Belinda Ballukut të plotësonte dy kërkesat hetimore të SPAK-ut: duke mos mbajtur më funksion qeveritar, ajo nuk mund ta përsëriste dot veprën penale, dhe duke mos pasur më akses në zyrë apo dokumente, do të ishte e pamundur edhe të prishte ose fshinte prova".
Ndërsa Rama ishte i paqartë dje në reagimin ndaj SPAK, Bolino thotë se kryeministri "mbetet i detyruar të mos tradhtojë neutralitetin që ka ruajtur deri tani ndaj vendimeve të drejtësisë".
"Por ky neutralitet, – shton Bolino, – nuk është detyrë vetëm e kryeministrit, sepse kjo përgjegjësi politike dhe morale bie edhe mbi gjithë Partinë Socialiste, duke filluar pikërisht nga Belinda Balluku, numri dy i qeverisë. Duke dhënë dorëheqjen, ajo jo vetëm do të tregonte koherencë dhe respekt ndaj drejtësisë, por edhe do t’i ndihmonte kolegët deputetë të vendosnin lirisht, edhe nëse do të donin të mohonin autorizimin".
Gazetari paralajmëron se në të kundërt "rrezikohet një përplasje e rëndë institucionale mes politikës dhe drejtësisë, një përplasje që nuk do ta shpëtojë Belinda Ballukun nga hetimi, por as nuk do t’a ndihmojë vendin në procesin e tij të integrimit europian."
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






