

Tiranë, 17 dhjetor 2025
Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin ndaj ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Ludjan Zaimi, duke rrëzuar rekursin e paraqitur prej tij kundër vendimit të Apelit të Posaçëm të dhënë më 25 janar 2024.
Zaimi u shpall fajtor për veprën penale të “vrasjes me paramendim të punonjësit të Policisë së Shtetit”, pas ngjarjes së ndodhur më 23 maj 2022, kur ai qëlloi për vdekje me armë zjarri kolegun e tij, Çaush Saliasi, brenda ambienteve të komisariatit nr. 3 në Tiranë.
Ngjarja ndodhi pak para se dy efektivët e patrullës së përgjithshme të nisnin turnin e punës. Sipas hetimeve, konflikti mes tyre kishte ardhur si pasojë e tensioneve dhe përplasjeve të vazhdueshme në ambientin e punës.
Në shkallën e parë, Ludjan Zaimi u dënua me 35 vite burg për veprën penale “vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit”. Më pas, Apeli e rikualifikoi veprën në “vrasje me paramendim”, duke i ulur dënimin me 5 vite.
Ish-efektivi e kundërshtoi këtë vendim dhe iu drejtua Gjykatës së Lartë me rekurs, por shkalla e tretë e gjyqësorit vendosi të mos e pranojë kërkesën, duke lënë në fuqi dënimin e dhënë më parë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






