

Tiranë – Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës dhe një tjetër do të hetohet në gjendje të lirë në kuadër të goditjeve e rasteve të tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike.
Si rezultat i këtij aksioni blutë e Tiranës kanë goditur 3 raste të posedimit të lëndëve piroteknike dhe lëndëve plasëse, me qëllim shitjen dhe një rast i kontrabandës së mallrave.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan sasi të konsiderueshmmme lëndësh piroteknike, lëndë djegëse dhe veshje të dyshuara të kontrabanduara.
Njoftimi i policisë:
Në zbatim të planit të masave për intensifikimin e kontrolleve, me qëllim parandalimin e tregtimit në mënyrë të kundërligjshme, të lëndëve piroteknike, shërbimet e Policisë Tiranë kanë evidentuar tre raste të kësaj veprimtarie dhe kanë kryer veprimet procedurale për autorët e dyshuar, konkretisht:
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin H. Z., 22 vjeç, pasi gjatë kontrollit në automjetin dhe në banesën e tij, u gjet një sasi e konsiderueshme lëndësh piroteknike. Gjithashtu, u gjet një sasi e madhe veshjesh të dyshuara të kontrabanduara. Lëndët piroteknike dhe veshjet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale;
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin D. Q., 22 vjeç, pasi gjatë kontrollit në automjetin dhe në banesën e tij, u gjetën lëndë të ndryshme piroteknike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale;
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin R. H., 45 vjeç, pasi gjatë kontrollin në marketin në pronësi të tij, në rrugën “Frosina Plaku”, u gjet një sasi lënde e dyshuar plasëse, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






