

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me një shkresë zyrtare të firmosur nga kreu në detyrë, Altin Dumani, iu drejtua dje Kuvendit me kërkesën që deputetes Belinda Balluku t’i hiqet imuniteti për t’i hapur rrugë arrestimit të saj.
Pak para se SPAK të publikojë shkresën, kryeministri doli me një reagim në X, një reagim i cili bart në mënyrë disi të maskuar disa paralajmërime të rëndësishme për atë që do të ndodhë të premten kur shqyrtohet kërkesa në Parlament dhe për aksionet e mazhorancës në ditët që vijnë.
Rama konsideron fillimisht pezullimin e Ballukut nga GJKKO si vendim antikushtetues dhe antidemokratik. Ai thekson se Gjykata Kushtetuese rrëzoi SPAK dhe GJKKO edhe pse zyrtarisht është njoftuar vetëm pezullim vendimi deri në shqyrtimin e padisë së Ramës.
Ky është paralajmërimi i parë i kryeministrit për Spak-un dhe GJKKO duke sugjeruar se ato morën një vendim të parë që sipas tij është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese dhe pas kësaj, lëvizja e dytë për heqjen imuniteti duket edhe më e papranueshme. Kjo është karta që Rama mund të tundë fort edhe në Kuvend me qëllim rrëzimin e dytë të SPAK-ut.
Shefi i qeverisë në reagim më tej bën një tablo të zymtë të drejtësisë penale kur thotë se Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur, madje duke e konsideruar si fakt të turpshëm pa asnjë lidhje me standartet demokratike evropiane. Ky sigurisht është standard i dyfishtë i Ramës i cili që kur erdhi në pushtet më 2013, nxiti fort valë arrestesh për krime të vogla penale çka çoi në burgosjen e shumë njerëzve sidomos për mospagim të faturave të energjisë elektrike dhe gjobave.
Këtu Rama bën paralajmërimin e dytë kur thekson se mbipopullimi i dhomave të paraburgimit "ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Evropës" – duke shënuar herën e parë që ai përball drejtësinë e re me ndërkombëtarët, të cilët ishin mbështetësit dhe nxitësit më të flaktë të reformës së 11 viteve më parë. Përmendja e ndërkombëtarëve, padyshim synon të stepë Spak-un dhe për më tepër të justifikojë ndryshime të reja në sistemin e drejtësisë, që Rama paralajmëron më tej në deklaratë kur shprehet se me 83 mandatet që ka, partia e tij është "forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi".
Kështu Rama po përforcon paralajmërimin për reformë të re në drejtësi, por këtë herë të pakërkuar nga ndërkombëtarët. Dhe nuk është çudi ta realizojë këtë, duke bashkuar votat me opozitën e Berishës, i cili edhe ai, disa herë ka folur për ndryshime në sistemin e drejtësisë.
Nëse kjo ndodh pa bekimin e ndërkombëtarëve, duket se këta të fundit do ta kenë të pamundur ta kundërshtojnë, pasi ata kanë promovuar fort anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në BE dhe çdo kritikë ndaj kryeministrit do të vinte në dyshim serioz mbështetjen e fortë ndaj tij.
Paralajmërimi i fundit që bën Rama, është përgjigjja që pritet t’i japë Spak-ut për kërkesën që Ballukut t’i hiqet imuniteti.
Rama përpiqet të tregohet kortezial kur thotë se "ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special", por menjëherë më pas paralajmëron përsëritjen e fenomenit "Xhaçka" ku Këshilli i Mandateve refuzoi heqjen e imunitetit për të.
Rama përmend mazhorancën e fortë kur thotë se "ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi".
Në këtë mënyrë, nëse nuk ka surpriza apo tërheqje të nxitur nga ndonjë "dush" ndërkombëtar të minutës së fundit, ajo që pritet është vazhdimi i luftës mes Ramës dhe Spak-ut, jo vetëm për të mbrojtur Ballukun, por edhe për të mbajtur larg fenomenin nga karrigia e tij. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






