

SPAK i drejtohet Kuvendit për autorizim ndaj deputetes Belinda Balluku, zbardhet shkresa zyrtare
Është zbardhur shkresa zyrtare e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku kërkohet dhënia e autorizimit për heqjen e imunitetit dhe marrjen e një mase më të rëndë sigurie ndaj deputetes, njëkohësisht ministre dhe zëvendëskryeministre, Belinda Balluku.
Në dokumentin zyrtar, SPAK i kërkon Kuvendit miratimin për zëvendësimin e masave aktuale të sigurisë me masa më kufizuese të lirisë personale, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, që po hetohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Shkresa mban firmën e kreut të SPAK, Altin Dumani, i cili përfundon mandatin e tij më 19 dhjetor 2025. Kërkesa është depozituar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila të premten riktheu në detyrë Belinda Ballukun.
Sipas përmbajtjes së dokumentit, SPAK kërkon zëvendësimin e masës së sigurimit personal nga “ndalimi i daljes jashtë shtetit”, i parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale, si dhe nga “pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, i parashikuar nga neni 242 i të njëjtit Kod, me masa më të rënda sigurie të parashikuara nga nenet 237 dhe 238 të Kodit të Procedurës Penale.
Në shkresë theksohet gjithashtu se, në zbatim të nenit 288, pika 2, të Kodit të Procedurës Penale, Kuvendit i është dërguar edhe relacioni i arsyetuar, i shoqëruar me provat përkatëse, si dhe urdhri për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve, me datë 16 dhjetor 2025.
Në përmbyllje të dokumentit, Prokuroria e Posaçme falënderon Kuvendin për bashkëpunimin institucional në trajtimin e kësaj kërkese.
SHKRESA E PLOTË
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
PROKURORIA E POSAÇME KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR
Nr. 13019 Prot. (D.P.)
Tiranë, më 16.12.2025
Lënda:
Kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit.
Drejtuar:
Z. Niko PELESHI
KRYETAR I KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
TIRANË
I nderuar z. Kryetari i Kuvendit,
Të nderuar Deputetë të Kuvendit,
Mbështetur në nenet 73, 95, 103 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenet 260, 288, 289 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, bashkëlidhur ju përcjellim kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit Belinda BALLUKU, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit”, e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrestit në burg/në shtëpi, parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale, në kuadrin e procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjithashtu, në respektim të nenit 288, pika 2, të Kodit të Procedurës Penale, bashkëlidhur gjeni relacionin e arsyetuar, të shoqëruar me provat përkatëse, si dhe urdhrin për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve, datë 16.12.2025.
Duke ju falenderuar për bashkëpunimin.
DREJTUESI I PROKURORISË
Altin DUMANI
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






