

KPA ndryshon vendimin e KPK-së, largon nga detyra prokurorin e Durrësit Gëzim Çopa
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot në mënyrë unanime shkarkimin e prokurorit Gëzim Çopa për balanca të mëdha negative të pasurisë, duke rrëzuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e pati konfirmuar në detyrë më 22 shkurt 2024.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi sot në mënyrë unanime largimin nga detyra të prokurorit të Durrësit, Gëzim Çopa, duke rrëzuar vendimin e mëparshëm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), i cili e kishte konfirmuar atë në detyrë më 22 shkurt 2024.
Sipas vendimit të shpallur, shkak për ndryshimin e vendimmarrjes janë balancat e konsiderueshme negative të konstatuara në pasurinë e subjektit të rivlerësimit.
KPK i kaloi subjektit barrën e provës për një balancë negative totale në vlerën 25.8 milionë lekë. Ai deklaroi në Komision se pasuritë janë fituar me trashëgimi ligjore dhe se janë krijuar para fillimit të detyrës.
Gëzim Çopa e ka nisur karrierën e tij në sistemin e drejtësisë në vitin 2005 si oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës. Në periudhën 2009–2014 ai ka punuar në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), fillimisht si ndihmës-inspektor dhe më pas si Sekretar i Përgjithshëm.
Në vitin 2015 është emëruar prokuror, duke ushtruar fillimisht funksionin në Prokurorinë e Pukës dhe më pas në Prokurorinë e Kavajës. Së fundmi, Çopa ushtronte detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm të Durrësit.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit përbëhej nga Natasha Mulaj (kryesuese), Rezarta Schuetz (relatore), si dhe anëtarët Ina Rama, Mimoza Tasi dhe Sokol Çomo. Vendimi u mor në kuadër të shqyrtimit të çështjes nr. 18/2024, që lidhet me ankimin e Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 738, datë 22.02.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në përfundim të gjykimit, KPA, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi ndryshimin e vendimit të KPK-së dhe largimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Gëzim Çopa.
Vendimi është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. Ai u shpall sot, më 16 dhjetor 2025, në Tiranë. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






