Transmetuar më 16-12-2025, 21:25

Elbasan, 16 dhjetor 2025 — Gjykata e Elbasanit vendosi sot lirimin nga paraburgimi të 16 personave të arrestuar dy ditë më parë, pas pezullimit të aktivitetit të dy kompanive të ferrokromit të akuzuara për ndotje të rëndë mjedisore.

Seanca gjyqësore nisi rreth orës 12:30 dhe u zhvillua me dyer të mbyllura për disa orë. Trupi gjykues vlerësoi se masat e arrestit me burg të vendosura ndaj të dyshuarve ishin të paligjshme, duke vendosur lirimin e tyre.

Para gjykatës u paraqitën 9 shtetas të huaj dhe 7 shqiptarë, të cilët mbanin role drejtuese, teknike apo ishin punonjës në kompanitë “CCALB” Shpk dhe “GSA Ferrokrom” Shpk. Mes tyre ishte edhe administratori korean i njërës prej shoqërive, Juncheol Chung, 64 vjeç.

Operacioni policor u zhvillua më 14 dhjetor, kur Policia e Elbasanit ndërhyri në ambientet e dy subjekteve që ushtronin aktivitetin në zonën e ish-Metalurgjikut. Sipas hetimeve, për një periudhë të paktën dyvjeçare, mbetjet e ferrokromit dyshohet se digjeshin gjatë natës, në qiell të hapur dhe brenda ambienteve të kompanive, duke shkaktuar ndotje serioze të ajrit dhe mjedisit përreth.

Autoritetet theksojnë se pasojat e ndotjes nuk janë kufizuar vetëm në zonën e ish-Metalurgjikut, por janë shtrirë në një rreze të gjerë përreth, duke ngritur shqetësime të forta për shëndetin publik dhe mjedisin.

Ndërkohë, në kërkim janë shpallur edhe 8 persona të tjerë, të identifikuar si aksionarë të dy kompanive. Ata akuzohen për një sërë veprash penale, përfshirë ndotjen e ajrit, ujërave dhe tokës, fshehjen e të ardhurave, punësimin e paligjshëm dhe pastrimin e parave, të kryera në bashkëpunim.

Hetimet për çështjen vijojnë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë masa të mëtejshme në funksion të zbardhjes së plotë të përgjegjësive ligjore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit