Transmetuar më 16-12-2025, 20:49

Ngjarja e rëndë që trondit Hollywood-in: detaje të reja mbi humbjen e regjisorit të njohur dhe bashkëshortes së tij

Një ngjarje jashtëzakonisht e rëndë cilësohet dhe ende mban të tronditur botën e Hollywood-it dhe opinionin publik amerikan. Djali i regjisorit të njohur Rob Reiner dhe bashkëshortes së tij, Michele Singer, është arrestuar dhe akuzohet se qëndron pas humbjes së jetës së prindërve të tij.

Sipas raportimeve të autoriteteve amerikane, 32-vjeçari Nick Reiner dyshohet se ka sulmuar prindërit e tij ndërsa ata ndodheshin në dhomën e gjumit. Të dy u gjetën pa shenja jete në banesën e tyre.

Ngjarja u zbulua nga vajza e familjes, Romy Reiner, 27 vjeçe, e cila rreth orës 15:30 të së dielës hyri në shtëpi dhe gjeti trupat e prindërve. Ajo kontaktoi menjëherë policinë, duke deklaruar se vëllai i saj mund të ishte i përfshirë dhe se e konsideronte atë “të rrezikshëm”.

Hetimi nxori se i riu ka therur prindërit e tij në fyt ndërsa ata ishin në shtrat.

Sipas hetimeve paraprake, Nick Reiner jetonte në të njëjtën banesë me prindërit në kohën e ngjarjes, por nuk ndodhej aty kur policia mbërriti. Pas disa orësh kërkime, ai u arrestua rreth orës 21:15 në një motel pranë zonës së njohur “Santa Monica Pier”, rreth 15 milje larg shtëpisë familjare.

Burime policore bëjnë me dije se dhoma e motelit ku ai ishte strehuar para arrestimit ishte në gjendje të rëndë, me shenja gjaku në ambient dhe në dush, ndërsa dritaret ishin mbuluar me çarçafë.

Nick Reiner, i cili ka shmangur shpesh daljet publike, ka folur më herët hapur për problemet e tij me varësinë nga substancat narkotike. Në një intervistë të vitit 2016 për revistën “People”, ai tregonte se kishte hyrë për herë të parë në rehabilitim në moshën 15-vjeçare dhe se më pas kishte ndjekur edhe 17 programe të tjera trajtimi.

Ai ka pranuar se periudhat e varësisë e kishin çuar deri në humbjen e banesës dhe në situata serioze rreziku për jetën. Në intervista të mëvonshme, Nick ka rrëfyer edhe episode të dhunshme gjatë përdorimit të drogës, përfshirë raste kur kishte shkatërruar shtëpinë e prindërve gjatë qëndrimeve të gjata pa kontroll, duke dëmtuar pajisje dhe ambiente të ndryshme.

Sipas burimeve pranë hetimit, ngjarja mund të jetë paraprirë nga një konflikt familjar gjatë një feste të Hanukkah, ku kishin marrë pjesë edhe persona të tjerë. Disa të ftuar thuhet se kishin dëgjuar debate, dhe më vonë, kur u informuan për atë që kishte ndodhur, reagimi i tyre ka qenë se “nuk u habitën” nga dyshimet mbi përfshirjen e Nick Reinerit.

Autoritetet ligjore dhe policia e Los Angeles vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila ka tronditur thellë një nga familjet më të njohura të industrisë së filmit në Shtetet e Bashkuara. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit