

Të premten mblidhet Këshilli i Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, për t’i hequr imunitetin zv.kryeministres Belinda Balluku.
Balluku është marrë nga SPAK në cilësinë e të pandehurës, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal. Akuza lidhet konkretisht me procedurën e prokurimit për objektin “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, një nga projektet infrastrukturore më të rëndësishme të viteve të fundit.
Po ashtu, SPAK bën me dije se Balluku ka marrë edhe cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale në shtatë procedura të tjera prokurimi publik. Këto procedura lidhen me projekte madhore infrastrukturore në Tiranë, përfshirë punimet në aksin “Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri”, ndërtimin e disa segmenteve rrugore dhe urave mbi lumin Tirana, si dhe ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës në lotet 4, 5, 6 dhe 7.
Kërkesa e SPAK ka për qëllim marrjen e autorizimit nga Kuvendi për vijimin e procedimit ligjor ndaj zyrtares së lartë, në përputhje me parashikimet kushtetuese dhe ligjore për deputetët dhe anëtarët e qeverisë.
Tashmë pritet që Kuvendi të shqyrtojë kërkesën dhe të vendosë për dhënien ose jo të autorizimit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






