Transmetuar më 16-12-2025, 17:40

Kërkesa e SPAK për Ballukun, Këshilli për Mandatet mblidhet të premten

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka drejtuar Kuvendit të Shqipërisë kërkesë për autorizimin e heqjes së imunitetit dhe marrjen e masave ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres Belinda Balluku.

Sipas njoftimit zyrtar, kërkesa është depozituar në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025 dhe mbështetet në nenet 73, 95 dhe 103 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 288 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe nenet 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit.

Burime parlamentare bëjnë me dije se Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet ditën e premte për të shqyrtuar kërkesën e SPAK ndaj Ballukut. Ky është një hap procedurial i detyrueshëm, përpara se çështja të kalojë për diskutim dhe vendimmarrje në seancë plenare të Kuvendit.

Belinda Balluku, e cila ushtron njëkohësisht funksionet e deputetes, ministres dhe zëvendëskryeministres, është marrë e pandehur nga SPAK nën akuzën për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal. Akuza lidhet me procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Po ashtu, SPAK njofton se Balluku është në cilësinë e personit nën hetim edhe për dyshimin e kryerjes së së njëjtës vepër penale në shtatë procedura të tjera prokurimi publik, që lidhen me projekte të mëdha infrastrukturore. Mes tyre përfshihen segmentet rrugore “Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri”, punimet në zonën “Sheshi Shqiponja – Lumi i Tiranës”, si dhe Unaza e Jashtme e Tiranës, për lotet 4, 5, 6 dhe 7.

Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme synon marrjen e autorizimit nga Kuvendi për vijimin e procedurave ligjore ndaj zyrtares së lartë, duke synuar arrestimin e saj.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit