Transmetuar më 16-12-2025, 17:11

TIRANË- Policia ka nisur hetimin për 15 administratorë lavazhesh në Tiranë. Kjo pasi ata keqmenaxhonin shkarkimin e ujërave të toksikuar nga solucionet e pastrimit, duke i derdhur ato në rrugë dhe në hapësira publike. Mbi ta rëndon akuza për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”.

Ndërkohë gjatë këtij operacioni në pranga ka rënë edhe një 24-vjeçar. I riu administrator u kap, pasi u konstantua se po vazhdonte punimet për ndërtimin e një biznesi në zonën “Don Bosko”, punime të cilat ishin ndërprerë më parë. Kjo për shkak se ishte evidentuar se kryheshin pa leje. Mbi të rëndon akuza për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”. Njoftimi i policisë

Gjatë verifikimeve të kryera me objektiv parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e krimeve kundër mjedisit, që gjithashtu rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 konstatuan se 15 lavazhe në territorin në juridiksion të këtij komisariati keqmenaxhonin shkarkimin e ujërave të toksikuar nga solucionet e pastrimit, duke i derdhur ato në rrugë dhe në hapësira publike.

Për këtë paligjshmëri, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 15 administratorët e këtyre subjekteve, konkretisht shtetasit: G. C., S. P., P. K., A. T., N. S., A. M., A. D., S. F., Sh. R., A. D., M. H., B. Sh. K. Xh., O. H dhe A. Xh., për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”.

Më tej, gjatë patrullimeve me këtë fokus, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë konstatuar se vazhdonin punime për ndërtimin e një objekti (për biznes) në zonën “Don Bosko”, punime të cilat ishin ndërprerë më parë, për shkak se ishte evidentuar se kryheshin pa leje. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, admnistratori i aktivitetit, shtetasi B. Ll., 24 vjeç, i cili ishte proceduar më parë, për të njëjtën vepër dhe për të njëjtin rast. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit