Transmetuar më 16-12-2025, 16:13

Grup kriminal në krye të AKSHI, detaje të reja nga hetimi i SPAK: Krerët u vunë nën arrest shtëpie, të tjerët kanë marrë arratinë e nuk gjenden!

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë nxjerrë në pah një skemë të strukturuar manipulimi tenderash në krye të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku një grup i organizuar dyshohet se ka kontrolluar procedurat e prokurimit përmes presionit, kërcënimeve dhe veprimeve të paligjshme.

Sipas SPAK, grupi ka ndërhyrë drejtpërdrejt në garat publike duke detyruar operatorë ekonomikë të tërhiqnin ankimet, duke favorizuar kompani të paracaktuara dhe duke ndikuar në renditjen përfundimtare të fituesve. Në qendër të këtij mekanizmi dyshohet se qëndronin drejtues të AKSHI, bashkëpunëtorë nga sektori privat dhe persona me ndikim në struktura shtetërore.

Gjykata e Posaçme ka vendosur masa sigurimi për tetë persona, mes tyre drejtoresha e AKSHI, Mirlinda Karçanaj, dhe zëvendësdrejtoresha Hava Delibashi, të cilat ndodhen në arrest shtëpie. Ndërkohë, për Ergys Agasin dhe biznesmenin Ermal Beqiraj është caktuar masa e arrestit me burg, por ajo mbetet ende e paekzekutuar.

Hetimi përfshin edhe një zyrtar të lartë policie, Erion Ismailin, zv.drejtor për Hetimin e Krimit në Policinë e Tiranës, i cili është pezulluar nga detyra dhe ndodhet nën masën e ndalimit për të dalë jashtë vendit. Nën masa sigurimi janë gjithashtu tre biznesmenë të tjerë, të dyshuar për pjesëmarrje fiktive në gara dhe lëshim faturash fiktive.

Rëndësia e çështjes shtohet nga fakti se AKSHI administron sistemet kryesore të qeverisjes digjitale, përfshirë platformën e-Albania dhe të dhëna sensitive të institucioneve shtetërore. SPAK dyshon se përmes kësaj skeme jo vetëm janë dëmtuar fondet publike, por është vënë në rrezik edhe siguria e informacionit shtetëror.

Hetimet janë në vijim, ndërsa autoritetet po verifikojnë edhe procedura të tjera prokurimi dhe lidhje të mundshme të grupit me institucione apo projekte të tjera publike. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit