

Ish-kreu i SHISH në Berat dhe djali i tij shpallen fajtorë për disa vepra penale
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Berat ka shpallur fajtorë ish-drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror në Berat, Pandeli Shulla si dhe djalin e tij, Aleksandër Shulla, pas kërkesës së Prokurorisë, për disa vepra penale të ndryshme.
Sipas Prokurorisë, Pandeliu u shpall fajtor për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, të parashikuar nga neni 197/1 i Kodit Penal.
Ai u dënua fillimisht me 2 vite burgim, dënim që u ul me 1/3 në zbatim të gjykimit të shkurtuar, duke përfunduar në 1 vit e 4 muaj burg. Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen e tij në provë për 2 vite e 8 muaj.
Ndërkohë, djali i tij, Aleksandri u shpall fajtor për dy vepra penale:
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”,
“Tregimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar”, të parashikuara nga nenet 278/3 dhe 294/1 të Kodit Penal.
Për këto vepra, Aleksandër Shulla u dënua fillimisht me 6 muaj burgim për mbajtje armësh dhe 2 vite burgim për nxjerrje të sekretit shtetëror. Pas aplikimit të uljes me 1/3, dënimi përfundimtar u caktua 1 vit e 4 muaj burg, me pezullim të ekzekutimit dhe vendosje në provë për 2 vite e 8 muaj. Gjithashtu, gjykata vendosi heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Hetimet nisën në kuadër të procedimit penal nr. 370 të vitit 2023, pas informacioneve se në një lokal në lagjen “30 Vjetori” në Berat, i drejtuar nga Pandeliu zhvilloheshin lojëra fati. Gjatë kontrollit u konstatuan kompjuterë të ndezur, në të cilët shfaqeshin lojëra fati online, të aksesueshme përmes aplikacioneve të instaluara dhe lidhjes me internetin.
Në vijim të hetimeve, gjatë kontrollit në banesën e Aleksandër Shullës u gjetën fishekë të kalibrit 7.62 mm, krehëra arme, si dhe dy USB. Nga verifikimet e Prokurorisë rezultoi se në USB-të e sekuestruara ndodheshin materiale të klasifikuara në nivelin “sekret”, të cilat administrohen nga SHISH dhe nuk lejohen të kopjohen apo shumëfishohen.
Sipas organit të akuzës, Aleksandër Shulla, i cili ka qenë punonjës i Shërbimit Informativ të Shtetit, i ka marrë dhe kopjuar këto materiale në kundërshtim me rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, duke i mbajtur në banesë edhe pasi nuk ushtronte më detyrën.
Gjykata pranoi kërkesat e Prokurorisë, duke vlerësuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme që të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat u akuzuan.
E PLOTË Ish-kreu i SHISH dhe djali i tij dënohen me kërkesë të Prokurorisë Berat për 3 vepra penale ‘Organizimi i lojërave të fatit’, ‘Mbajtja e Armëve’ e ‘Nxjerrje e sekretit shtetëror’
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat u shpallën fajtor dhe dënuan shtetasit P.Sh. ish-drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror për veprën penale ‘Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin’ parashikuar nga neni 197/1 i Kodit Penal dhe shtetasi A.Sh., djali i tij, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 278/3 i Kodit Penal dhe “Tregimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar” parashikuar nga neni 294/1 i Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.370 të vitit 2023, pas informacioneve se në një ambient në lagjen ’30 Vjetori’ në një lokal që drejtohej nga shtetasi P.Sh., po zhvilloheshin lojëra fati, u konstatuan kompjuterat e markave të ndryshme, të ndezura dhe në ekrane u shfaqën lojrat online të ngjashme me ato të Adex Casino.
Nga verifikimi teknik, u provua se nëpërmjet një aplikacioni apo software të instaluar në këto paisje elektronike, duke u lidhur në internet, realizoheshin lojëra fati online.
Gjatë hetimeve, u ushtrua kontroll i banesës së shtetasit A.Sh., babait të tij, ku u konstatuan një krëhër metalik ngjyrë bronxi me 5 fishekë, të paplasur të kalibrit 7.62 mm, një çantë dore ngjyrë të zezë brenda të cilës u gjetën 3 krehër, të mbushur secili me nga 7 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe dy USB me mbishkrimet “Turbox” dhe “Kingston”.
Ky shtetas i cili ka ushtruar detyrën si Drejtor i Shërbimit Informativ Berat, shpjegoi se në nëntor të vitit 2023 është larguar nga detyra dhe ka dorëzuar armatimin por ka harruar të dorëzojë municionin e gjetur në banesë nga shërbimet e policisë. Ai sqaroi se, fishekët e kalibrit 7.62 janë fishek të armëve të vjetra që i ka gjetur të godina e vjetër e ShIK-ut dhe i ka marrë si suvenir dhe i ka harruar në banesë.
Por nga verifikimet e kryera nga prokuroria rezultoi se armatimet ishin kthyer dhe kjo provohej edhe nga fletëhyrja që ndodhet në institucion. Ndërkohë që nga verifikimet e kryera rezultoi se, dy nga materialet e ndodhura në Usb-në me emërtimin “Usb drive” janë të klasifikuara në nivelin “sekret” dhe administrohen në SHISH në kopje të vetme. Kopjimi ose shumëfishimi i tyre është i ndaluar dhe në kundërshtim me aktet që normojnë punën e SHISH.
Marrja e këtyre materialeve në kundërshtim me rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, që ka rezultuar me ekspozimin e pjesshëm ose tërësor, në mënyrë të paautorizuar, përbën shkelje të sigurisë së informacionit të klasifikuar.
Në përfundim të hetimeve paraprake, pas analizës në tërësi të të dhënave dhe provave të marra, vijmë në përfundimin se, ka të prova të mjaftueshme se të pandehurit P.Sh dhe A.Sh. kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen. Rezulton përfundimisht e provuar se i pandehuri A. Sh. ka qenë me detyrë punonjës i Shërbimit Informativ të Shtetit dhe ka kopjuar materiale që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, dhe i janë besuar për shkak të detyrës.
Marrja e këtyre materialeve në kundërshtim me rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, dhe përhapja e tyre në dy Usb brenda në banesën e të pandehurit, kur ai nuk ushtronte më as detyrën e punonjësit të shërbimit informativ të shtetit, që ka rezultuar me ekspozimin e pjesshëm ose tërësor, në mënyrë të paautorizuar, përbën shkelje të sigurisë së informacionit të klasifikuar.
Për sa më sipër, në përfundim të hetimit, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të përgjithshëm, Berat kërkoi dhe u pranua nga gjykata:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit P. Sh., për kryerjen e veprës penale të “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin” parashikuar nga neni 197/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim;
2. Në zbatim të nenit 406 pika 1, uljen e dënimit me 1/3, dhe dënimit e të pandehurit përfundimisht me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim;
3. Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, të urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurin për një afat prej 2 (dy) vite e 8 (tetë) muaj me kusht që brenda kësaj periudhe të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte të rregullta me zyrën e Shërbimit të Provës së vendbanimit të tij;
4. Deklarimin fajtor të të pandehurit A. Sh. për kryerjen e veprës penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 278/3 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim;
5. Deklarimin fajtor të të pandehurit A. Sh. për kryerjen e veprës penale të “Tregimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar” parashikuar nga neni 294/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 vite burgim;
6. Në zbatim të nenit 406 pika 1, uljen e dënimit me 1/3, dhe dënimit e të pandehurit përfundimisht me 1 vit e 4 muaj burgim;
7. Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, të urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurin A.Sh. për një afat 2 vite e 8 muaj me kusht që brenda kësaj periudhe të mos kryejë vepër tjetër pnale; dhe
8. Në zbatim të ne nit 35 të Kodit Penal të pandehurin A.Sh., i hiqet e drejta të ushtrojë funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






